Transmetuar më 10-06-2023, 11:52

Fushata eliminatore e “Euro 2024” për kuqezinjtë nisi me humbjen 1-0 në Poloni, ndeshjen hapëse të grupit E për tanët, zhvilluar në mars. Tashmë, në këtë muaj, më 17 dhe 20 qershor, kuqezinjtë do të luajnë ndaj dy rivalëve më të lehtë në letër, Moldavisë në “Arena Kombëtare” dhe Ishujve Faroe në transfertë.

Përgatitjet vijojnë prej ditësh me intensitet, ndërkohë që dita-ditës, lojtarë të ndryshëm të kombëtares dalin në konferenca për shtyp dhe shpalosin objektivat e tyre për sfidën ndaj Moldavisë, paraprakisht. Kështu bëri sot edhe Qazim Laçi, mesfushori dibran i kombëtares.

Si ndjehesh në këtë grumbullim?

Trajneri ka besim tek unë dhe do të jap maksimumin si gjithmonë.

Si i parashikoni ndeshjet?

Kjo kombëtare ka shumë eksperiencëm si dhe shumë lojtarë të rinj me talent. Ne do të bëjmë maksimumin për të fituar.

Kohë pushimesh, a jeni gati për ndeshjen?

Nuk besoj se lojtarët e kanë mendjen te pushimet, jemi profesionistë. Nuk është hera e parë që na ndodh, të gjithë lojtarët do të japin maksimumin për kombëtaren.

Kundërshtarë të thjeshtë…

Nuk mendoj se ka ekipe më të fortë apo më të dobët sot, të gjithë jemi njësoj. Po, ne kemi lojtarë që luajnë në ekipet më të mira në botë dhe do të japim maksimumin për të fituar patjetër. Sidoqoftë, në fushë luhet 11 kundër 11.

A keni presion?

Nuk besoj se kemi presion, por dëshirë për të luajtuar. Lojtarët e rinj marrin eksperiencë nga veteranë si Sadiku dhe Cikalleshi, atmosfera është shumë e mirë.

A jeni gati për ndeshjet?

Po punojmë mjaft mirë me Sylvinhon, i cili na transmeton shumë pozitivitet. Të gjithë lojtarët po japin maksimumin, të gjithë do të jenë gati për dy ndeshjet që kemi përpara.

Një mesazh për tifozët…

Kemi shumë nevojë për ta. Sidomos ndeshja e parë në fushën tonë me Moldavinë do jetë shumë e rëndësishme që ta fitojmë, ndaj kemi shumë nevojë për tifozët tanë.

Si e cilësoni sezonin në planin personal?

Sezoni për mua nuk vazhdoi mirë, pasi kisha një dëmtim dhe lëviza në janar. Pas janarit pata një sezon shumë të mirë, sepse fitova edhe kampionatin me ekipin tim në Çeki.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd