
Lautaro Martinez ndihet si në "qiellin e shtatë", sepse pas 6 muajsh nga ngritja e trofeut të Kupës së Botës, tani e sheh veten në një finale tjetër prestigjioze, si ajo e Ligës së Kampionëve. Në konferencën për shtyp para pëballjes tejet të vështirë me Manchester City, sulmuesi argjentinas i Interit i përmbajti emocionet e tij:
"Është një gjë e mrekullueshme të luash në finalen e Kupës së Botës dhe finalen e Ligës së Kampionëve në harkun kohor të gjashtë muajve. Unë dua të bëj më të mirën. Kjo është një mundësi e madhe dhe unë jam gati. Të luash në dy finalet që çdo futbollist ëndërron është më e mira. Ndërrojnë fanellat, por ndjesitë janë unike.
Falë punës së bërë gjatë gjithë vitit me grupin jemi në hapin e fundit, do të duhet të jemi gati. Kjo ndeshje do të jetë e rëndësishme për Interin, për tifozët dhe klubin. Kjo finale do të thotë shumë për të gjithë ne. Liga e Kampionëve ishte objektiv sezonal, edhe pse shorti na vendosi në një grup shumë të vështirë. Jemi në finale falë punës së bërë me trajnerin dhe stafin e tij. Ndjej shumë përgjegjësi, sepse kam pesë vite tek Interi, por edhe shokët e mi do të jenë gati".
Nga pikëpamja taktike, Lautaro sqaroi: "Ne e dimë se City është kundërshtar i vështirë për t’u përballur për shkak të cilësive që ka si ekip dhe në aspektin individual. Ne do të jemi gati për kundërsulm. Jemi përgatitur mirë këto ditë dhe në dy seancat e fundit të stërvitjes do të mund t’i vendosim gjërat në rregull".
Më pas për sezonin: "Jam shumë i kënaqur me atë që kemi bërë dhe shpresoj që fundi i sezonit të ketë diçka të rëndësishme për mua. I imi ka qenë një sezon intensi, kam pasur një problem në pjesën e parë dhe gjatë Kupës së Botës. Nuk do të shkoj me kombëtaren dhe do të pushoj pas kësaj finaleje të Champions League. Ndihem mirë dhe dua të jap maksimumin për këtë Inter.
Shpresojmë ta marrim trofeun në Milano, pasi të luajmë një finale të madhe. Ëndrra jonë, e të gjithëve ne, është që ta kthejmë trofeun në shtëpi. Nuk e di nëse City e ka obsesion, por duhet të mendojmë për veten".
Ja receta e tij për ta fituar finalen e Stambollit: "Personaliteti nuk mund të mungojë, as zemra. Për më tepër, do të duhet vullneti për të fituar, për të ngritur trofeun. Tani kemi mundësinë të rikthejmë një trofe që i mungon Interit prej 13 vitesh".
Në fund, një krahasim mes tij dhe Militos: "E di se çfarë bëri Diego me këtë klub, në finalen e Madridit. Jam krenar që jam pjesë e kësaj skuadre, mendoj të shënoj dola kam dhe ndihmoj bashkëlojtarët e mi. Ndoshta do të bëj diçka të ngjashme me atë që ai bëri në finalen e Champions League".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





