
"Ndjej flutura në stomak, pastaj ato lëvizin më shpejt një orë para ndeshjes. Ne duhet të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë dhe të përpiqemi të mposhtim Interin". Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, foli për "Sky Sport", ku u shfaq i qetë në prag të finales së Ligës së Kampionëve kundër zikaltërve të Inzaghit:
"Qetësia që kam vjen nga fakti se jam i fokusuar t’i mposht kundërshtarët e mi në fushë. Gjendja e ekipit? Është çështje fizike tani, dy skuadrat janë të lodhura pas sezonit të gjatë. Tani jemi bashkë si ekip. Duhet të flasim pak dhe të bëjmë shumë në fushë".
Për historinë dhe "palmaresin" e dy klubeve, Guardiola nënvizon: “Nuk vlen asgjë, më e rëndësishmja është se si do të sillemi në 95 minutat e ndeshjes finale”. I vetmi shqetësim që ka aktualisht trajneri i Manchester City është: "Ta njohë Interin sa më mirë dhe të mendoj se çfarë do të bëj për t’i mbajtur larg portës sonë zikaltrit. Kërkoj kujdes nga inkursionet e Barella. Lojtarët e Interit bëjnë shumë gjëra interesante, ne duhet të jemi të kujdesshëm".
Pyetja për Haaland është e pashmangshme. Guardiola nuk ka dyshime: "Erling ka një mundësi të madhe në këtë finale, por unë mendoj se do të ketë shumë herë të tjera. I thashë se do të ketë pak hapësirë, me tre qendërmbrojtës dhe Brozovic me Calhanoglu. Ai e di se do të duhet durim, do ta mbështesim për të qenë në gjendje të shënojë”.
Duke folur në konferencën për shtyp, trajneri i Manchester City nënvizoi se triumfi në Evropë është një ëndërr dhe një obsesion në të njëjtën kohë: "Është një ëndërr. Është gjithmonë një ëndërr të fitosh trofe. Edhe fjala obsesion është një fjalë pozitive, por është padyshim një ëndërr për ne.
A jemi ne favoritët? Nuk mund të kontrolloj çfarë thonë apo mendojnë njerëzit. Gjithçka do të varet nga ne dhe Interi. Skuadra më e fortë do të jetë fituesi. Nëse kundërshtari ngre trofeun në fund të finales, Interi do të jetë më i madh se Manchester City. Rezultati ka rëndësi në një finale të tillë".
DUke analizuar zikaltrit, Guardiola i frikësohet mbi të gjitha aftësisë për të bërë më shumë gjëra gjatë ndeshjes: "Interi është një ekip që nuk mendon vetëm për t’u mbrojtur. Ekziston një besim se skuadrat italiane vetëm mund të mbrojnë, por Interi di të bëjë shumë gjëra të tjera. Acerbi, Darmian, Bastoni dhe Onana janë shumë efektivë në rifillimin e lojës së ekipit.
Dhe të gjithë sulmuesit, nga Lautaro te Correa, dinë të jenë të rrezikshëm. Interi ka aftësinë për të mbajtur topin dhe për të finalizuar, del në sulm nga qendra dhe krahët. Ne do të përpiqemi të mbrohemi sa më mirë, si lart, ashtu edhe poshtë".
Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munich vlerësoi gjithashtu Lautaro Martinez: "Ai është një lojtar i veçantë; di ta mbajë topin, të jetë i rrezikshëm në zonën kundërshtare. Po flasim për sulmuesin e një skuadre që do të luajë në finalen e Champions League”.
Përmendje të veçanta edhe për dy lojtarë të tjerë të Inzaghit: "Onana është themelor. Bastoni është i jashtëzakonshëm në atë që bën, ndihmon për të pasur një lidhje më të mirë me sulmuesit".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





