Transmetuar më 08-06-2023, 14:20

Për kryeministrin Edi Rama, Kosova po bën diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë dhe si kurrë më parë po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar.

Rama e bën këtë konstatim pasi në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti ka këmbëngulur në zbatimin e ligjeve në Kosovë për respektimin e institucioneve. Paralelisht, SHBA dhe BE e kanë akuzuar se po vepron pa miratimin e tyre duke dalë hapur në qëndrimin jozyrtar të tyre se e konsiderojnë Kosovën, një vend vasal.

Në daljen e sotme për mediat, Rama tha se ka një draft të iniciuar prej tij për asociacionin serb që ia ka dërguar dje ndërkombëtarëve. Ai pranoi se drafti është punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe europian, duke shtuar se kjo ka ndodhur kohë më parë dhe paraqitet tani, pasi siç tha ai, dihej që do të vinte kjo situatë.

Rama nuk dha detaje për draftin duke thënë se ai është konfidencial.

Konferenca e plotë për shtyp e kryeministrit Edi Rama mbi situatën në veriun e Kosovës

Kryeministri Edi Rama: Situata në veriun e Kosovës po merr për fat të keq përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovës. Deklaratat e aleatëve tanë strategjikë lidhur me këtë situatë janë gjithnjë e më alarmante dhe sinqerisht është e pakuptueshme arsyeja e ngurrimit të autoriteteve të Kosovës për de-eskalimin e një situate ku dukshëm çdo ditë, çdo orë, e humbur e madhe është Kosova.

Serbia po bën atë që ka bërë edhe herë të tjera, ndërsa Kosova po bën diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë dhe si kurrë më parë po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar.

Në kushtet kur marrëdhëniet e aleatëve me Kosovën po marrin gjithnjë e më shumë tone ultimative dhe ku rikthimi në gjendjen e mëparshme po rrezikon të marrë një kohë gjithnjë e më të gjatë, nëse Kosova dhe uroj, lutem që të mos ndodhë, do të sanksionohet për qëndrimin e saj, unë jam këtu për të ndarë me ju një fakt të panjohur deri më sot.

E kam ditur me kohë që nyja gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificesh politike apo teknike.

Nga ana tjetër, besoj çdo ditë e më shumë se krijimi i asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara dhe të gjitha Forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë.

Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane.

Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe europian prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kjo ditë kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti.

Natyrisht që ky është një dokument konfidencial i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionin dhe patjetër merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogut dhe jo që të flasin me vete dhe për vete.

Kjo ishte ajo që unë doja të ndaja edhe publikisht. Natyrisht, arsyeja pse e ndaj publikisht sot është ajo që thashë më parë, sepse situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të qëndroj spektator duke parë Kosovën sesi tkurret e tkurret në sytë e atyre që e krijuan shtetin e Kosovës.

– Zoti Rama, ju javën e shkuar në Bratislavë u dukët jo kaq i shqetësuar për situatën në Kosovë madje ishit ndër të paktët që dukeshit sikur nuk kishit një shqetësim serioz për atë që po ndodhte në Kosovë. Pse ky shqetësim tani dhe a e keni konsultuar me Albin Kurtin këtë draft?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk kam qenë dhe nuk jam i shqetësuar për atë që shqetësohen të tjerët, por jam tejet i shqetësuar për tkurrjen dramatike të Kosovës në sytë e aleatëve dhe për tonet ultimative të aleatëve. Për këtë jam i shqetësuar, gjë që mund të sjellë pasoja të pallogaritshme në shumë aspekte, duke filluar nga pasoja e rritjes së numrit të trupave në Kosovë që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës për shembull, ose gjë që do të thotë humbja e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi, një mundësie për të integruar plotësisht veriun në jetën e vetë institucionale duke hapur rrugën që veriu të kalojë në kontrollin e trupave të huaja, që do të ishte një gjë e tmerrshme nga pikëpamja e interesave tona. Për këto jam shumë i shqetësuar dhe jo për ato që shqetësohen të tjerët ose as për ato jo e jo që proklamohen si kërcënime ndaj Kosovës. Kosova ka që në vitin 1999 që nuk është nën asnjë kërcënim, nuk ka kërcënim për Kosovën. Zero!

Kërcënimi është vetëm në mendjen e politikanëve në Kosovë dhe është vetëm një mënyrë për të bërë politikë të brendshme duke përdorur hijen e një kërcimi që nuk është ekziston. Serbia e ka humbur Kosovën përfundimisht në vitin 1999 dhe Serbia nuk ka asnjë fuqi që t’i prekë Kosovës asnjë fije floku, këtë e di cilido që e shikon skenën pa interesat elektorale brenda Serbisë apo Kosovës. Për këto jam unë i shqetësuar.

– Zoti Rama një pyetje tjetër që në fakt lidhet me zhvillimet në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk kam asnjë minutë për zhvillimet në Shqipëri. Kam vetëm për këtë çështje në qoftëse keni pyetje.

-Atëherë me Albin Kurtin e keni konsultuar dokumentin?

Kryeministri Edi Rama: Jo

– Mendoni që ai rrezikon vërtetë të shpallet non grata nga ShBA?

Kryeministri Edi Rama: Nuk hyj fare në këto sepse edhe këto nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë nëse janë apo s’janë të vërteta për sa kohë nuk janë deklarata publike, por janë dokumenta që qarkullojnë të pa konfirmuara, por as të pamohuara, por nuk është fati i Albin Kurtit sot në lojë, është fati i Republikës së Kosovës si e tërë dhe natyrisht që unë dua vetëm suksesin e Albin Kurtit, qeverisë së Kosovës, Republikës së Kosovës dhe asgjë tjetër, por nuk mund të rri më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcenim shumë i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por i vjen nga reduktimi i marrëdhënieve me aleatët në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova. Ky është shqetësimi im!

-Kryeministër, cili është roli i Shqipërisë në këtë draft rezolutë apo draft propozim që quhet. Ju thatë që kanë shkuar amerikanët dhe BE, atëherë pse duhet të ndërhynte Shqipëria në këtë ciklet komunikimi

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk thashë amerikanët dhe Bashkimi Europian. Unë thashë janë ekspertë të pavarur të cilët kanë punuar bashkërisht për të dhënë një kontribut dhe ajo që unë kam bërë është thjesht që këtë kontribut ta kthej në një mundësi për dialogun. Pastaj aty e dinë vetë të gjithë ata që marrin pjesë në dialog se çfarë marrin, çfarë nuk marrin, çfarë konsiderojnë pozitive, çfarë jo dhe sa e marrin në konsideratë, por ky është një kontribut i domosdoshëm në kushtet kur ju përsëris të dyja palët që duhet të bëjnë këtë punë, akoma nuk merren vesh se kush duhet ta bëjë këtë punë. Ndërkohë që për Kosovën është jetike që të dalë nga ky qorrsokak dhe patjetër të finalizojë procesin që mundëson njohjen e ndërsjellë dhe që mundëson çlirimin përfundimtar të Kosovës edhe nga pengesat e natyrës së legale në raport me një pjesë të Europës dhe të botës që nuk e njeh si republikë. Kjo është një gjë shumë e madhe për tu tretur në dallgët e furtunës në gotën e 4 komunave për 4 kryetarë komunash që e kanë kryer misionin e tyre dhe që mund të vazhdojnë detyrën në godina të tjera, pa pasur nevojë që të angazhohet një polici e tërë për të rritur komplet në mënyrë artificiale frymën e vetëvendosjes së serbëve në ato territore. Se asnjë gjë tjetër nuk ndodh atje përveçse ushqehet një frymë vetëvendosje e vetë serbëve atje. Ky është fakti, i hidhur por shumë i vërtetë.

-Për ta kuptuar, ju keni dalë vetë vullnetar për ta bërë këtë marrëveshje? Nuk ju kanë kërkuar të negocioni?

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk kam dalë vullnetar për të bërë marrëveshje.

-Për ta propozuar këtë zgjidhje.

Kryeministri Edi Rama: Thjesht unë kam dhënë një kontribut që bazohet në punën, po e përsëris, e një grupi top ekspertësh për tryezën e dialogut. S’kam dalë vullnetar për të bërë asnjë marrëveshje.

-Ju thatë që drafti është sekret por kam një pyetje që besoj është shumë e rëndësishme ndoshta për ta marrë në konsideratë këtë. Ky propozim përfshin asociacionin e komunave serbe, por nga ana tjetër a jep në njëfarë mënyre njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë që është ndoshta gjëja që kërkohet?

Kryeministri Edi Rama: Nuk po merremi vesh. Drafti është statuti i asociacionit të komunave serbe. Pra është draft që merret vetëm me këtë çështje. Ndërkohë që e dimë të gjithë që nëse zgjidhet kjo është zgjidhur nyja gordiane e gjithë kësaj historie të gjatë dialogu dhe është hapur rruga dhe për njohjen e ndërsjellë, patjetër. Këto janë të lidhura me njëra tjetrën.

– Nga ana tjetër pse sulmoni ju Albin Kurtin? Sepse po zbaton ligjin? Po zbaton ligjin sepse kërkon të hyjnë kryetarët e komunave të cilët kanë dalë nga zgjedhje që janë njohur dhe nga ndërkombëtarët. Atëherë pse duhet sulmuar Albin Kurti? Çfarë po bën keq ai, për ta kuptuar?

Kryeministri Edi Rama: Zonjë, unë nuk sulmoj Albin Kurtin. Albin Kurtin e fajëson bota e tërë demokratike me emër dhe me mbiemër dhe kjo mua më shkakton vetëm keqardhje sepse nuk shoh pse duhet të ndodhë kështu. Unë nuk jam as për të gjykuar Albin Kurtin dhe aq më pak për të sulmuar Albin Kurtin. Këto janë deduksione të gabuara.

– Ndërkohë mendoni se duhet të shqetësoheni kaq shumë për Kosovën e cila ka qeverinë e saj dhe kryeministrin e saj dhe nuk duhet të shqetësoheni për një tjetër bashkëpunëtor tuajin që ka rezultuar që ka marrë dardha dhe mollë pas kurrizit tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Vazhdojmë me pyetjen tjetër.

– Zoti kryeministër, ju keni deklaruar se keni raporte shumë të mira qoftë me kryeministri Albin Kurti po ashtu dhe me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Pse nuk ka dalë ky propozim, draft propozim për formimin e asociacionit më herët në pah apo t’iu ishte propozuar vetë atyre përpara se të eskalonte situata në veri të Kosovës? Pse pikërisht tani? Dhe qëndrimi i ashpër i juaj që duket se ka qenë në të njëjtën linjë me ndërkombëtarët sa i takon pozicionit të Albin Kurtit, a ndoshta nuk e ka vështirësuar pozicionin e Kosovës dhe pozicionin e tij në sytë e ndërkombëtarëve?

Kryeministri Edi Rama: Realisht komplimente për fantazinë që keni për të gjetur pyetje të tilla megjithatë pyetjet janë të pafajshme kështu që unë po mundohem të jap përgjigje.

E para, unë nuk kam marrë përsipër të hyj në mes të askujt, nuk është kjo detyra ime. Unë thjesht kam marrë përsipër të kontribuoj për tryezën e dialogut nëpërmjet kumbarëve të procesit, që janë presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë. I takon atyre të bëjnë atë që dëshirojnë me këtë kontribut sepse tani ishte gati për tu bërë dhe tani janë kushtet për tu bërë, duke parë që në vend se të ulen në tryezë njëri çon policinë në godina bosh, tjetri çon ushtrinë për të kënduar këngë në kufij me Kosovën dhe të dy e dinë që as njëri dhe as tjetri nuk janë aty për të zgjidhur problemin real që është problemi i gjithë marrëveshjes së normalizimit dhe asociacionit, që është thelbi i kësaj marrëveshjeje, siç e keni parë. Çfarë kërkojnë ata që në këtë rast unë nuk i quaj ndërkombëtarët, ata janë të zotët e shtëpisë në Kosovë. Ata janë të zotët e shtëpisë në Kosovë si në asnjë vend tjetër sepse ata e kanë krijuar atë shtëpi me bomba dhe me shumëçka kanë bërë për atë shtëpi dhe për sa kohë ajo shtëpi nuk është plotësisht e njohur botërisht, ata ndërkombëtarët janë limfa vitale e asaj shtëpie.

Në momentin që ata ndërkombëtarët i kthejnë shpinën asaj shtëpie, ajo shtëpi,  mos ndodhtë kurrë, futet në ditët e veta më të zeza. Kjo është e vërteta dhe unë nuk jam këtu për të bërë, e përsëris, komente për Albin Kurtin.

Albin Kurti është kryeministër i Kosovës, unë e respektoj. E kam mbështetur në të gjithë procesin e dialogut kur hyri me vështirësi, por hyri.

E kam mbështetur edhe kur disa qorra u ngritën ta sulmojnë si tradhtar pse u ul me presidentin e Serbisë në tavolinë, e kështu me radhë, sepse ajo është rruga dhe do ta mbështes deri në fund në rrugën e njohjes së ndërsjellë sepse për këtë luftojmë të gjithë.

Nuk luftojmë për ndonjë gjë tjetër, njohjen e ndërsjellë dhe shpëtimin përfundimtar të Kosovës edhe nga kjo barrë mosnjohjesh që ka në kurriz, që 5 vende në mes të Evropës nuk e njohin akoma dhe në vend që të merremi me këto, më çfarë merremi? Me policët në godina bosh, me 4 kryetarë komunash që e mbaruan misionin e tyre. Unë nuk kam qenë dakord me ata që i thoshin Albin Kurtit mos bëj zgjedhje. Kam qenë absolutisht i bindur që zgjedhjet duheshin bërë se nuk mund të mbetej peng procesi i zgjedhjeve.

Ashtu sikundër, jam absolutisht i bindur tani që ato zgjedhje e mbaruan misionin e tyre, duhen  shpallur zgjedhje të reja dhe duhen shpallur pa humbur kohë, menjëherë, për të treguar vullnet në radhë të pare dhe për të de-eskaluar situatën.

Duhet tërhequr policia menjëherë, nuk ka çfarë pret policia atje, rri kot atje nëpër godina bosh sepse Kosova është më e interesuara për këtë gjë dhe këta ndërkombëtarët janë të zotet e shtëpisë atje dhe është shumë e vështirë ta mendosh atë shtëpi pa ata edhe për një kohë të gjatë, aq më tepër pastaj t’i nxjerrësh ata nga shtënia me shqelma.

Është e pamundur.

Ajo që mund të ndodhë është shumë e rëndë, është shumë e rëndë. Nëse trupat  e huaja do të marrin veriun e Kosovës, çështja do të kthehet në tryezë, kush e di pas sa vitesh.

Ky është një nga ato momentet në historinë politike që minuta bën vitin, ora bën dekadën dhe dita bën shekullin. Këtë di unë të them.

Pastaj këto të tjerat, këtu s’është fare punë emrash, personash etj etj.

Unë mendoj që një asociacion  që është brenda kornizës kushtetuese të Kosovës , që është në sinkron me të gjithë pritshmëritë e komunitetit demokratik, që i jep vetë administrim, vetë menaxhim, quheni si te doni, atyre që e përbëjnë, pa e venë në pikëpyetje asnjëherë autoritetin e insitucioneve të Republikës së Kosovës; që i jep mundësi t’i bëjnë ato që duhet të bëjnë për arsimin dhe për shëndetësinë dhe që patjetër gjen miratimin e  Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është gjëja që i duhet sot Kosovës.

Të tjerat janë te gjitha dokrra të rrezikshme, që mund të çojnë, po them dhe një herë tjetër, mund ta çojnë Kosovën mbrapsht në kohën e bronxit.

Këtë di të them unë dhe kjo është serioze. Kjo nuk është diçka që “jo, po zbaton ligjin”. Kjo nuk ka lidhje fare , shumë serioze dhe është e gjithë bota që do të mirën e Kosovës dhe nuk janë vetëm ata aleatët europianë dhe amerikanë. Janë dhe aleatë të tjerë, të cilët janë të shqetësuar, shumë të shqetësuar madje, të cilët duan zgjidhje dhe të cilët nuk arrijnë dot të kuptojnë se çfarë kërkon Kosova më, tani kur të gjithë janë të fokusuar që bëni këtë dhe do të shkojmë tek njohja e ndërsjellë. Shumë e thjeshtë.

-Zoti kryeministër, ndonëse drafti ende nuk është bërë publik..

Kryeministri Edi Rama: Drafti nuk ka për t’u bërë ndonjëherë publik. Drafti nuk është për t’u bërë publik , drafti është një material në tryezë ku mund të ketë edhe materiale të tjera. Është thjesht një kontribut, por gjëja që di të them unë është, që kush e do zgjidhjen realisht, e ka gati , ta marrë e ta aplikojë. Këtë e them me garanci 100%. Ta marrë , ta aplikojë.

-Cili ka qenë qëndrimi? Ju kontaktuat me presidentin Macron dhe kancelarin Scholz. Do ta marrin ata në konsideratë draftin që ju i parashtruat?

Kryeministri Edi Rama: Edhe njëherë tjetër, nuk hyj fare në këto. Nuk ka asnjë rëndësi.Unë kam bërë thjesht atë që kam ndjerë si detyre se e kam ditur që do të vinte një moment i tillë, se i kam parë interlokutorët, i kam lexuar si duhet për fatin tim të keq dhe jo të keq, por për fat të keq në këtë rast të çështjes dhe të Kosovës dhe në kushtet kur akoma s’merren dot vesh se kush duhet ta shkruajë, imagjino, kush duhet ta shkruajë. Ky është një kontribut, një kontribut i shkruar nga njerëz që janë ajka e mendimit juridik botëror. Këtë di të them unë.

-zoti kryeministër ju thatë se nuk keni pasur një konsultim për ketë draft me Kryeministrin e Kosovës, por nga ana e Serbisë a keni marrë një lloj garancie që do të merret në konsideratë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është detyra ime të konsultoj në këtë rast, as njërën, as tjetrën palë, për më tepër pozicioni i të qënurit kryeministër i Shqipërisë, e bën dhe më të vështirë këtë sepse vetvetiu jam palë, dua aspo s’dua unë, kështu që drafti është neutral në këtë pikë , nuk është bërë as për njërin, as për tjetrin. Është bërë për Kosovën në radhë të parë. Për mua është Kosova mbi të gjithë dhe mbi çdo gjë në këtë rast. Dhe jam këtu për Kosovën. Nuk jam këtu as për njërin as për tjetrin.

As për veten time, fare, se unë nuk marr vota në Kosovë dhe nuk kam asnjë interes në Kosovë në aspektin as personal, as profesional, as partiak, as politik ngushtësisht, por si kryeministër i Shqipërisë që sheh se si një pjesë e kombit tim, po hyn në një kurs përplasje me ata që e lartësuan kombin tim si asnjëherë më parë dhe që hodhën bomba për kombin tim, unë e ndiej detyrë ndaj kombit tim t’i them këto fjalë.

Shumë faleminderit!