Transmetuar më 08-06-2023, 12:33

Ditët që ndajnë Interin dhe Manchester City nga finalja e Champions League po i afrohen fundit dhe vëmendja ndaj protagonistëve të të dyja skuadrave po rritet gjithnjë e më shumë. Në kampin zikaltër janë interesante fjalët e shqiptuara nga Federico Dimarco dhe Edin Dzeko.

Boshnjaku, që duket në balotazh me Lukakun për të startuar në finalen e 10 qershorit, foli për transmetuesin britanik "BT Sport": “Të jesh në finalen e Ligës së Kampionëve kundër ish-klubit tim si Manchester City, me të cilin jam shumë afër, është një gjë shumë e rëndësishme për mua.

Tani është koha për të luajtur. Dallimet mes Premier League dhe Serie A? Premier League është më e vështira për të luajtur, por në Itali gjithçka është ndryshe, mendohet shumë për taktikat dhe njerëzit flasin shumë për futbollin. Trajnerët italianë janë gjithashtu shumë taktikë, të përgatisin për çdo detaj, të thonë çfarë të bësh në çdo situatë”.

Më pas, dy sugjerime për të tashmen dhe të ardhmen e tij: "Jam i kënaqur që luaj në një finale të Ligës së Kampionëve, sigurisht që është hera e parë dhe arrij atje në moshën 37-vjeçare. Kurrë mos thuaj kurrë, por mund të jetë gjithashtu e fundit, ndaj dua ta shijoj.

Ndihem mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Vitin e kaluar dhe këtë vit tregova se mund të luaj ende në  nivel të lartë. Kjo është ajo që ka rëndësi në fund. Tani mendoj për finalen, pastaj do të mendoj për të ardhmen, por e përsëris, ndihem mirë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd