Transmetuar më 08-06-2023, 11:42

TIRANË- Shkrirja e Bordit të Karburanteve nuk pasohet nga një ulje e çmimeve të hidrokarbureve. Në një deklaratë për mediat, Konfindustria e thekson se mungesa e qartë e standardeve të konkurrencës nuk do të sjellë uljen e çmimit, por përkundrazi, rritjen e tij. Konfindustria kërkon krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të suksesshme në Rajon, për të ndihmuar "kuletat" e qytetarëve.

"Konfindustria, duke marrë shkak nga shfuqizimi i Bordit të Transparencës vlerëson, se vendimi nuk pritet të sjellë asnjë ulje të çmimeve të karburanteve në treg, përkundrazi mund të përkeqësohet më tej. Arsyeja e përfundimit të mësipërm është mungesa e konkurrencës së lirë në tregun e karburanteve, si pasojë e pranisë së oligopoleve dhe marrëveshjeve të tipit kartel. Mungesë e qartë e standardeve të konkurrencës vërehen sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregtar si shërbimet portuale, të depozitimit dhe të tregtisë me shumicë të karburanteve. Konfindustria përsërit kërkesën për krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të sukseshme në Rajon,"-bëhet me dije në njoftimin zyrtar.

Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve, i krijuar në marsin e vitit të kaluar, është shfuqizuar këtë të mërkurë, me vendim të qeverisë. Dje, ministrja e Ekonimisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, njoftoi se përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri. Bordi i Transparencës u krijua në mars të vitit 2022, pas nisjes së luftës në Ukrainë, që shkaktoi rritje të menjëhershme të çmimit të naftës. Çmimet që ka vendosur Bordi janë diskutuar shpesh, ndërsa kundër ka qenë opozita dhe ekspertët. Madje disa deputetë e kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese.