Transmetuar më 08-06-2023, 09:40

Konfindustria, duke marrë shkak nga shfuqizimi i Bordit të Trasparencës vlerëson, se vendimi nuk pritet të sjellë asnjë ulje të çmimeve të karburanteve në treg, përkundrazi mund të përkeqësohet më tej.

Arsyeja e këtij përfundimi është mungesa e konkurencës së lirë në tregun e karburanteve si pasojë e pranisë së oligopoleve dhe marrëveshjeve të tipit kartel.

Mungesë e qartë e standarteve të konkurencës vërehet sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregëtar si shërbimet portuale, të depozitimit dhe të tregtisë me shumicë të karburanteve.

Konfindustria përsërit kërkesën për krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të sukseshme në Rajon.

Tregu strategjik i karburanteve ka qarkullim vjetor në mbi 11% të PPB me mbi 1.5 miliard $/vit, duke qenë nga më të mëdhenjtë e ekonomisë shqiptare.

Shqipëria ka çmimet krahësimore të karburanteve nga më të larta në nivel kontinenti dhe më gjerë. P.sh në Maqedoninë e Veriut, ku fuksionon agjencia rregullatore e karburanteve, çmimi i naftës është 124 lekë/litër, ndërkohë që në Shqipëri është 176 lekë/litër d.m.th mbi 15-20 lekë/litër më shtrenjtë, marrë parasysh edhe ngarkesën fiskale.

Kostot në tregun shqiptar rriten edhe më shumë nga standardet e dobëta të cilësisë dhe vjedhjet me volumet në pikat e shitjes me pakicë.

Mjaft problematike paraqitet edhe kontrabanda masive e karburanteve në vlera deri në 300 milionë $/vit, shoqëruar edhe deri në thyerje të shpeshtë të embargos me vende si Rusia, Irani, Libia, etj.