
Juventusi largohet nga Superliga Evropiane. Fillimisht ky vendim iu është bërë me dije dy klubeve të tjera bashkëthemeluese, Real Madridit dhe Barcelonës. Arsyeja? Për t’iu afruar UEFA-s dhe shmangur sanksionet e mëtejshme pas heqjes së 10 pikëve në kampionatin italian.
Juventusi, të cilin Di Maria sapo e ka përshëndetur me një letër në rrjetet sociale, kishte qenë ndër klubet në krye të projektit të Superligës, i lindur në vitin 2021, por tani ka një kthesë të diktuar edhe nga ndryshimi në drejtim, me lamtumirën e Agnellit. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, duke iu referuar Superligës, klubi bardhezi shkruan:
“Juventus Football Club S.p.A. informon se ka dërguar një komunikim për dy klubet e tjera të cilat, si Juventusi, nuk janë tërhequr nga projekti i Superligës (Futboll Club Barcelona dhe Real Madrid Club de Futbol) për të nisur një periudhë diskutimi mes tri klubeve lidhur me daljen e mundshme të Juventusit nga projekti i Superligës”.
Shumë gjëra kanë ndodhur në dy vitet e fundit, duke filluar nga fusha e deri në majën e drejtimit të "Zonjës së Vjetër", me lamtumirën e Agnellit. Juve ishte ndër klubet në krye të Superligës, projekt i lindur në vitin 2021, por tashmë gjërat kanë ndryshuar.
Juve shtoi në faqen zyrtare: “Klubi ynë do të vazhdojë me çdo komunikim të duhur në përputhje me ligjin, pas rezultatit të diskutimeve dhe vlerësimeve në lidhje me sa më sipër, duke specifikuar se shumë nga detajet e raportuara nga shtypi në lidhje me përmbajtjen e komunikimit (duke përfshirë çdo referencë ndaj kërcënimeve të supozuara për sanksione të mundshme nga UEFA) nuk korrespondojnë me të vërtetën”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





