Transmetuar më 06-06-2023, 20:30

Beograd- Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguar amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë mbërritur në Serbi. Ata janë pritur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Vizita e tyre në Beograd vjen pasi zhvilluan takime me krerët e institucioneve, partive politike, si dhe shoqërinë civile në Kosovë. Takimet kanë për qëllim gjetjen e zgjidhjes pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Mbrëmë, ata i kanë paraqitur kryeministrit Albin Kurti një propozim me tri elemente. I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës. Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.