"Me të vërtetë dhemb, është një ditë e trishtuar. Doja ta përfundoja karrierën time te Real Madridi, por ndonjëherë jeta të jep mundësi të tjera". Karim Benzema i përshëndeti sot kështu “Los Blancos” pas 14 vitesh karrierë dhe 25 trofesh të fituar, përmes një konference për shtyp përkrah presidentit Florentino Perez.
"Nuk do ta harroj kurrë Real Madridin, klubin më të mirë në histori dhe atë ku i bëra realitet ëndrrat e mia të fëmijërisë. Sidoqoftë, ishte koha për t’u larguar", – shtoi sulmuesi francez, i cili më pas falënderoi bashkëlojtarët e tij, vetë presidentin dhe trajnerin Ancelotti:
"Faleminderit presidenti Perez! Pata fatin t’i realizoj ëndrrat e mia si fëmijë falë teje. Kur e pashë presidentin që më kërkonte, thashë: Është njeriu që solli në Madrid dy yje si Ronaldo dhe Zidane. Ishte e pabesueshme. Për ty Ancelotti kam dy fjalë: Ti më besove menjëherë. Mësova shumë me ty. Do të të jem mirënjohës gjithë jetën".
“Sot po largohet një nga futbollistët më të jashtëzakonshëm në historinë tonë, – ishte përshëndetja e Perez për Benzema. – Të kemi parë të bëje gjëra të pabesueshme me fanellën tonë. Dhe kjo është diçka që ne madridistët nuk do ta harrojmë kurrë. Thuajse keni ardhur si fëmijë dhe po largoheni si një nga mitet tona të mëdha. Legjenda juaj do të zgjasë përgjithmonë si një histori e bukur dashurie mes Benzema dhe Real Madridit".
Mësohet se Benzema do të transferohet në klubin saudit Al Ittihad, me të cilin do të nënshkruajë deri në qershor 2025, me opsion edhe për një sezon të mëtejshëm. Kuptohet, paga që do të marrë atje do të jetë stratosferike, ndaj edhe vendosi të heqë dorë nga “Los Blancos”, për ta shfrytëzuar maksimalisht karrierën që i ka mbetur (nga ana financiare), duke qenë se është 35 vjeç tashmë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





