Transmetuar më 05-06-2023, 15:28

Albi Muhollari ka qenë në krizë të thellë në momentin e arrestimit dhe rrugës për në polici ka kërkuar të pinte vetëm ujë.

Ai nuk po e besonte se këtë natë të shtune ora 21, në lagjen “Partizani”, Përmet, i mori jetën nënës së tij 65 vjeçare duke e mbytur me qese, në një gjendje depresive.

Në momentin fillestar të arrestimit, 24 vjeçari ka qenë i qetë duke thënë vetëm një frazë: “Çfarë ishte kjo që bëra?”

Në qelinë e komisariatit përgjatë gjithë qëndrimit ka pirë vetëm ujë dhe ka ngrënë një kroasant.

Oficeri i policisë gjyqësore, në praninë e avokatit ditën e djeshme e ka marrë në pyetje 24-vjeçarin duke e pyetur për vrasjen e nënës së tij.

Muhollari e ka pranuar krimin. E njëkohësisht ka refuzuar të japë shpjegime për ngjarjen duke thënë se do t’i bëjë të ditura arsyet në një moment tjetër pasi nuk ishte në gjendje.

Policia tha se i dyshuari ishte larguar nga banesa pasi mbyti nënën, por u kap pak më vonë pa rezistencë.