Transmetuar më 05-06-2023, 15:24

Dialogu “Shangri-La”, Kina shtjellon nismën e sigurisë dhe kundërshton paqëndrueshmërinë në Azi-Paqësor

Duke folur për nismën e sigurisë të Kinës në Dialogun e 20-të “Shangri-La” të dielën, këshilltari i Shtetit dhe ministri kinez i Mbrojtjes Li Shangfu paralajmëroi për sfidat “e papara" të sigurisë me të cilat po përballet rajoni i Azi-Paqësorit.

"Sot, ajo që i nevojitet Azi-Paqësorit është bashkëpunimi i hapur e gjithëpërfshirës, " tha ai.

"Ne nuk duhet të harrojmë kurrë katastrofat e shkaktuara nga dy luftërat botërore dhe Lufta e Ftohtë e nuk duhet të lejojmë kurrë të përsëriten tragjedi të tilla", theksoi ministri kinez i Mbrojtjes.

Para kërcënimeve të reja të sigurisë, Kina ka propozuar Nismën e Sigurisë Globale, e cila bën thirrje për promovimin e sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese e të qëndrueshme dhe eksplorimin e një rruge të re drejt sigurisë me dialogun në vend të kundërvënies, partneritetin në vend të aleancave dhe leverdinë e ndërsjellë në vend të lojës ku fituesi i merr të gjitha.

Në shpjegimin e Nismës së Sigurisë Globale, Li theksoi se Kina kundërshton me forcë imponimin e vullnetit mbi të tjerët, vendosjen e interesave të veta mbi ato të të tjerëve dhe realizimin e sigurisë vetjake në kurriz të sigurisë së të tjerëve.

Respekti i ndërsjellë duhet të mbizotërojë mbi ngacmimin e hegjemoninë, barazia dhe drejtësia duhet të mposhtin ligjin e xhunglës, konfliktet dhe kundërvënia duhet të eliminohen nëpërmjet besimit e konsultimeve të ndërsjella dhe kundërvënia në blloqe duhet të parandalohet me hapje e përfshirje, shpjegoi ai.

Si pjesë e zbatimit të kësaj nisme, Kina ka publikuar një dokument prej 12 pikash mbi qëndrimin e vet për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës dhe ka dërguar një përfaqësues të posaçëm për të vizituar Evropën, për të arritur sa më shumë konsensus të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës.

Përveç kësaj, pas bisedimeve të prillit në Pekin, Arabia Saudite dhe Irani kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike, dhe afrimi i tyre ka çuar në një reagim zinxhir pajtimi në Lindjen e Mesme.

Duke përmendur shembuj të tillë, Li tha se Kina i merr seriozisht shqetësimet e ligjshme të sigurisë të vendeve të tjera, është e përkushtuar për të nxitur qeverisjen globale të sigurisë, mbështet drejtësinë e barazinë dhe është e angazhuar për të kapërcyer dallimet dhe për të forcuar solidaritetin.

Kina po ecën tani në rrugën kineze drejt modernizimit, një tipar i së cilës është zhvillimi paqësor, një koncept i përfshirë në Kushtetutën e vendit.

Li tha se arritjet e Kinës vijnë nga puna e palodhur, zelli dhe forca krijuese e më shumë se një miliard kinezëve, e jo nga agresioni, ekspansioni apo grabitja.

Sipas tij, Kina ndjek një politikë të mbrojtjes që ka natyrë vetëmbrojtëse dhe ka bërë shumë përpjekje për të ruajtur sigurinë botërore e rajonale.

Që nga viti 2008, Kina ka dërguar mbi 139 mjete detare, duke mbrojtur më shumë se 7 000 anije kineze dhe të huaja. Në prill, anijet e Forcave Detare të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës evakuuan nga Porti i Sudanit 940 shtetas kinezë dhe më shumë se 230 shtetas të huaj.

Përgjatë viteve, Kina ka dërguar mbi 50 000 paqeruajtës në operacionet e OKB-së, duke qenë kontribuesja më e madhe për nga numri i ushtarëve ndër vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Li përmendi se 16 paqeruajtës kinezë humbën jetë gjatë misioneve të tyre dhe më shumë se 2 000 janë tani në detyrë në shtatë rajone.