
ITALI- 19-vjeçari shqiptar Kevin Murataj që ndërroi jetë në një aksident mbrëmjen e së premtes është përcjellë për në banesën e fundit.
“Fluturo lart Kevin, siç shqiponjat fluturojnë mbi botë, fluturo te Zoti” ishin mesazhet prekëse të shokëve dhe miqve në momentin kur u përcoll për në banesën e fundit.
Me qindra ishin ata që morën pjesë dhe që iu bashkuan dhimbjes së nënës Elisabeta dhe babait Alket dhe dy fëmijëve të tyre minorenë dhe dajës Erlind.
“Ishte një mik dhe një vëlla, gjithnjë i gatshëm për të përcjellë lumturi. Me të ndanim ëndrrat tona”, u shpreh njëri prej shokëve.
Kryebashkiku i Latisana tha se familja e tij do të mund të mbështetet gjithmonë mbi komunitetin ku jetojnë, që do të jetë i gatshëm për t’i dhënë mbështetjen e nevojshme. I riu u godit për vdekje duke kaluar vijat e bardha. Ai sapo kishte dalë nga një piceri bashkë me shokët e shoqet e klasës dhe ishin nisur për në diskotekë, pasi po festonin mbrëmjen e maturës, kur ndodhi ngjarja e rëndë.



Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





