Transmetuar më 05-06-2023, 10:15

Në puntatën e dytë të emisionit “1 herë mat” në E Diell në Top Channel, u trajtua çështja e një gruaje me kancer e cila zbuloi tradhtinë e bashkëshortit të saj.

“Nuk ia kam kaluar dhe aq mirë, për arsye shëndetësore, po ashtu dhe për shkak të sikleteve të tjera që kam ardhur tek ti, e prandaj më duhet ndihma jote.

Kam 20 e ca vite e martuar me bashkëshortin tim, kemi dhe fëmijë. 7 vite më parë kapa një lidhje të bashkëshortit tim, fillimet tona, si të gjitha gratë e alarmuar, duke i kërkuar që të ndahej nga ajo vajza për hir të fëmijëve e familjes. Me kalimin e kohës kuptova që ajo nuk ishte thjeshtë një lidhje dashnorësh, por një lidhje dashurie. Se e pashë që sa më shumë unë tentoja t’i ndaja, ata më shumë afroheshin me njëri-tjetrin.

Madje ajo vajza u divorcua dhe nga bashkëshorti i saj, për të qëndruar me bashkëshortin tim. Unë së fundmi jam diagnostikuar me një sëmundje për fat të keq. Përpos gjithë hallit, kjo ishte qershia mbi tortë. E gjithë dynjaja e dinte që kishte një vajzë tjetër dhe njerëzit më shikonin çuditshëm se si vazhdoja të rrija me të. Por duke menduar idealin e familjes. Shpresoja gjithmonë që do kthehet. Kam duruar duke e angazhuar veten me punë, me bizneset tona.

Unë e njoh atë vajzën, kam dhe komunikim me të se janë gjithë këto vite. Ne kemi folur për gjëra të përditshme. Në fillim i kërkova që të ndahej, pastaj u dorëzova. Më thonin që do ndahemi pastaj ishte e pamundur. Nuk i kam bezdisur më këto vitet e fundit. Jemi si dy njerëz të huaj në shtëpi. Më respekton dhe është i angazhuar me familjen, nuk kam ankesa për këtë. Edhe fëmijët e duan. Tani na lidh puna më shumë. Na ka kapur ajo rutina. Ai vazhdon tani jetën e vet pa probleme nga unë,” tregoi ajo.