Transmetuar më 05-06-2023, 08:24

E zyrtarizoi vetë në fundin e Milan-Verona në “San Siro”, me mikrofon në dorë dhe zërin që i dridhej, i emocionuar si kurrë para kamerave. “Herën e parë që mbërrita në Milano më dhuruat lumturi, herën e dytë më dhuruat dashuri. Nga zemra dua t’i falënderoj fansat kuqezi”.

Kishte ende disa dyshime për të ardhmen e tij, të nxitura nga thashethemet për oferta edhe në Itali, por suedezi e ka vendosur: “Më pritët krahëhapur, më bëtë të ndihem si në shtëpinë time. Unë do të jem një mbështetës i Milanit për gjithë jetën. Ka ardhur koha t’i them lamtumirë futbollit, jo juve”.

Në konferencën për shtyp foli sërish suedezi: “Një ditë shumë e veçantë për mua. E mbajta këtë vendim për ta lënë futbollin brenda meje, nuk i thashë askujt. Klubi nuk e dinte për këtë. Nga nesër jam një njeri i lirë në këtë botë. Sot është dita e fundit si profesionist, dua të falënderoj Milanin dhe të gjitha skuadrat për të cilat kam luajtur. E ardhmja? Tani vjen një kapitulli tjetër i jetës sime.

Kur u zgjova, binte shi. Thashë me vete: Edhe Zoti është i trishtuar… Emocioni është shumë i fortë, dukesha si një mumje që ecte përreth. Nëse kjo më ndodhte 3 muaj më parë, kisha frikë. Sot e pranoj dhe jam gati, pak i trishtuar, sigurisht, sepse futbolli më bëri burrë.

Të gjithë lojtarët janë ‘të programuar’ për t’u tërhequr një ditë. Paniku është kur zgjoheni dhe nuk dini më çfarë të bëni. Do të më mungojë dhoma e zhveshjes, është një shtëpi për ne lojtarët, jemi të mbrojtur brenda dhomës së zhveshjes. Tani për fat të keq më duhet ta ndaj dhomën e zhveshjes me gruan time në shtëpi…

A duhet të qëndroj në botën e futbollit? Tani për tani, po marr kohën time dhe po shijoj atë që kam bërë. Nuk është e drejtë të marr një vendim kaq shpejt, ka shumë emocione dhe do të bëj një zgjedhje këtë verë. Trajner apo drejtor sportiv? Ka një përgjegjësi të madhe, nuk mund të ngas Ferrari nëse jam trajner. Duhet të mendohesh mirë. Nuk mendoj se do ta lë futbollin në përgjithësi, por fushën me siguri.

Leao, një Zlatan i vogël? Do të ketë vetëm një Zlatan, nuk mendoj për egon time. Kushdo që vjen pas meje do të jetë një tjetër lojtar, me një histori tjetër. Unë jam krahasuar me Van Basten, por nuk është e drejtë të bëjmë krahasime të tilla.

Gjithçka që bëra e arrita me Minon (Raiola). Isha vetëm dhe nuk kisha askënd në krah, jam një person shumë privat. Nëse do të ishte në dorën e tij, do të kisha vazhduar të luaja futboll, sepse ai do të kishte dhënë porosinë e tij. Më fal Mino, por kjo është e vërteta, po tërhiqem.

Vjen momenti kur e pranoni situatën, por duhet të vinte vetëm nga unë. A kam marrë oferta? Po, por nuk ishin interesante. Nëse dikush vendos të mos vazhdojë më të luajë, ofertat nuk llogariten”.