Transmetuar më 04-06-2023, 22:47

TIRANË- Qeveria miratoi në mesin e javës kontratën qeveritare për blerjen nga Shqipëria të dronëve turq Bayraktar, një armë që ka bërë revolucionin e luftrave.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për kontratën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe BAYKAR MAKINA SAN. VE. TIC. A.Ş., për furnizimin me sistem mjetesh ajrore pa pilot BAYRAKTAR TB2.

Megjithatë nuk bëhet me dije numri i tyre dhe çmimi i blerjes:

"Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të pikave 1, shkronjat “dh” e “i”, dhe 2, të nenit 5, të ligjit nr. 36/2020, “Për prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, dhe të pikës 2, të nenit 12, të vendimit nr. 1085, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për lidhjen e kontratave për blerjen e pajisjeve/mjeteve të projektuara posaçërisht ose të përshtatura për qëllime ushtarake, si dhe armët, municionet apo materialet luftarake për qëllime operacionale, përfshirë teknologjinë dhe softëare-t e lidhura me këto mallra, si dhe për përbërjen, mënyrën e organizimit e të funksionimit të komisionit të veçantë të klasifikimit të këtyre kontratave”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Miratimin e kontratës, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe BAYKAR MAKINA SAN. VE. TIC. A.Ş., për furnizimin me sistem mjetesh ajrore pa pilot BAYRAKTAR TB2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

ZËVENDËSKRYEMINISTËR Belinda Balluku”.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mbrojtjes, përfaqësuesve të firmës turke “Bayraktar”, Ambasadorit të Republikës së Turqisë u nënshkrua në Tiranë marrëveshja për sigurimin e avionëve luftarakë pa pilot me firmën e njohur turke ‘Bayraktar’.

Firma “Bayraktar Technology” është e specializuar në hartimin e teknologjive transformuese në fushën e mbrojtjes dhe aviacionit.

Pajisja me këta avionë do t’u ofrojë institucioneve të tjera të qeverisë shqiptare një mbështetje të madhe në nivel operacional, në fusha të ndryshme.

Vlera e kontratës nuk është bërë e ditur nga autoritetet, por gjatë një interviste të para disa kohëve kryeministri Rama kishte deklaruar se “për qëllimet që kemi dhe për shërbimin që do të na bëjnë janë absolutisht me çmim të arsyeshëm”.

Autoritetet shpjeguan se kontrata përfshin dhe trajnimet e personelit shqiptar, si dhe paketën e mirëmbajtjes së dronëve, Bayraktar, të cilët u bënë veçanërisht të famshëm, nga efikasiteti i tyre, në rezistencën që Ukraina po i bën agresionit rus ndaj saj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd