Transmetuar më 04-06-2023, 21:46

BEOGRAD- Presidenti serb Aleksandër Vuçiç sot ka mbajtur një takim të kryesisë më të ngushtë të partisë së tij, SNS-së dhe u ka bërë të qartë kolegëve të tij qëllimin lidhur me pushtetin që ai mban.

Ai ka përsëritur sot qëndrimin e tij se nuk do të lejojë formimin e një qeverie tranzitore, por theksoi se është i gatshëm të bëjë një referendum për mbajtjen e detyrës si presidentt i vendit.

"Më mirë vdes se t’ia lë Serbinë llumit! Unë do t’i shpall të gjitha zgjedhjet, jam ngopur me të gjitha mashtrimet, jam gati të vdes, nuk kam frikë fare!

Ja, po pres që ata frikacakët të vijnë të më vrasin, por nuk do t’ua dorëzoj kurrë pushtetin pa zgjedhje,"- tha Vuçiç.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka deklaruar se është e gatshme të japë dorëheqje nga posti në çdo moment, por ka shtuar se presidenti i Serbisë, “për momentin e refuzon”.

Megjithatë ka shkruar në Twitter se Partia Progresive Serbe është gati për zgjedhje.

Nga ana tjetër, Vuçiç, po ashtu duke folur për kërkesat e protestës vuri në dukje se disa prej tyre janë përmbushur, disa mund të diskutohen por disa janë të pamundura për t’u bërë, siç është dorëheqja e ministres së Policisë Bratislava Gashiç.

Ai e shpjegoi qëndrimin e tij duke thënë se qeveria kalimtare "nuk do të jetë qeveria e Serbisë, por qeveria e grupeve të interesit".

Në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, u zhvillua protesta e pestë radhazi “Serbia kundër dhunës”. Këto protesta filluan si pasojë e dy masakrave të ndodhura në një shkollë në Beograd dhe një fshat pranë kryeqytetit, ku u vranë 18 persona.

Për këto protesta ka shkruar edhe prestigjiozja amerikane “New York Times”, ku në një artikull i ka cilësuar këto protesta si më të mëdhatë në rrugët e kryeqytet serb që nga përmbysja e 5 tetorit të vitit 2000, kur u përmbys qeveria e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.

Protestat janë shndërruar në një revoltë kundër sundimit gjithnjë e më autoritar të presidentit Aleksandër Vuçiç. Shumë protestues gjatë të shtunës brohoritën për dorëheqjen Vuçiç dhe një grup lëshoi ​​tullumbace me helium duke mbajtur një pankartë me mesazhin “Vuçiq ik” nën një foto të madhe të presidentit serb.

Thirrjeve të qytetarëve u është bashkuar edhe opozita që kërkon zgjedhje të parakohshme dhe qeveri tranzitore, por duket se deri më tani Vuçiç pranon vetëm referendum për pozicionin e tij dhe ende nuk është gati të "sakrifikojë" qeverinë.