Transmetuar më 03-06-2023, 20:47

TIRANË- Fundjava ka sjellë fluks në pikën kufitare të Morinës, pasi shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur që fundjavën ta kalojnë në Shqipëri. Ata shprehen se nuk duhet të ketë pikë kufitare mes vendeve, pasi një numër i madh i tyre fundjavën zgjedhin ta kalojnë në bregdetin shqiptar.

Sezoni veror si dhe rritja e temperaturave ka rikthyer fluksin në pikën kufitare te Morinës. Qytetarët nga Kosova kanë zgjedhur të kalojnë një fundjavë ndryshe, kjo në bregdetin shqiptar të Shëngjinit, Velipojës apo Durrësit.

Pushuesit shprehen se nuk kanë pasur probleme gjatë kalimit në pikën kufitare, por theksojnë se nuk duhet të ketë kufi mes dy vendeve.

Vetëm në orët e para të ditës së sotme, në doganën e Morinës kaluan me shumë se 5600 automjete me rreth 9800 qytetarë, një pjesë e të cilëve kanë nisur edhe pushimet sezonale.