Transmetuar më 03-06-2023, 18:54

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me qëndrimet që kreu i qeverisë Edi Rama ka mbajtur ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Me anë të një postimi në Facebook, ai shprehet se janë dy arsye madhore përse Rama vepron kështu. Së pari, sipas Berishës, Rama e bën për të mbrojtur presidentin Aleksandër Vuçiç, si dhe për ti kthyer forcat politike në Kosovë kundër Kurtit.

Më herët, kryeministri Edi Rama i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhnin konfliktin mes tyre dhe të zbatojnë kërkesat e BE-së, përpara se Brukseli të ndërmarra masa drastike ndaj tyre. Rama shkruante në Twitter se është absurd fakti që në veri të Kosovës policia ruan ndërtesat boshe, ndërsa në anën tjetër të kufirit Serbia ka nxjerrë ushtrinë.

Po kështu, Edi Rama i sheh si të gabuara deklaratat e Albin Kurtit, se faktori ndërkombëtar po ushtron trysni të tepruar mbi Kosovën për situatën në veri, dhe po favorizon Serbinë. Në intervistën e dhënë për BBC, Rama pozicionohet në krah të SHBA-së dhe BE-së sa i takon qëndrimit që ata mbajnë, lidhur me zbutjen e tensioneve.

Reagimi nga Berisha

Përse prej tre ditësh Rama i përvishet Albin Kurtit!

Të dashur miq, ka ditë që Edi Rama i është përveshur Albin Kurtit, në mënyrën më vulgare, me gurë në strajcë. Ndërkohë që një qëndrim të tillë nuk e ka mbajtur asnjë kryeministër i rajonit, dhe problemi apo kriza e fundit po trajtohet në nivelet më të larta politike botërore, në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit, Pallatin Elize, Kancelarinë Gjermane dhe BE.

Megjithëse Rama e di se sulmet dhe kërkesat e tij te Kurti, për arsye tashmë të njohura, kanë zero efekt. Përsëri ai vazhdon çdo ditë të lëshojë rrufe ndaj tij, si askush tjeter.

Arsyet kryesore të këtij qëndrimi janë:

•Së pari, Rama e bën këtë për të mbrojtur padronin e tij, Vuçiç dhe për të nxjerrë Kurtin, që i ka treguar vendin me kohë, si djallin me zile.

•Së dyti, si hakmarrës ai e bënë këtë për të ndërsyer në këtë moment të pafavorshëm për Kurtin forcat politike në Kosovë kundër tij. Por përsëri, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Vuçiçin, në këtë rast, kjo ndihmë nuk do të pranohet prej tyre.

Por arsyeja me kryesore qëndron në faktin se me këto deklarata të përditëshme, për një çështje të mprehtë, për majat e politikës botërore, Rama beson se me këto deklerata:

A- Do mund të krijojë për vete një mëshirë perëndimore, për të shpëtuar nga afera e tmerrshme korruptive e tij me McGonigal, për të cilën në SHBA ai është nën hetim të hapur penal dhe…

B- Do mund të mbulojë farsën e turpshme zgjedhore të 14 majit, e cila kundërmon histori turpi në mbarë Europën.

Por gabon, sepse përveç Vuçiçit, Ramën nuk e dëgjon njeri.