Transmetuar më 03-06-2023, 14:23

Robert Lewandowski ka analizuar sezonin e tij të parë te Barça, në të cilin ka fituar La Liga-n dhe gjithçka tregon se do të fitojë trofeun e golashënuesit më të mirë. “Jam shumë i lumtur me atë që kemi arritur këtë vit, për klubin, për bashkëlojtarët e mi dhe gjithashtu për qytetin e tifozët. Doja të futesha në këtë projekt”, – siguroi polaku në një prononcim për RTVE.

Një projekt në të cilin ai aspiron të jetë i rëndësishëm dhe që sapo ka nisur: “E di që ekipit i duhej kohë, se nuk mund të ndryshosh gjithçka menjëherë. Por unë shoh që e ardhmja do të jetë shumë më e mirë dhe më pëlqen të jem pjesë e ndryshimit që po kalon Barça”.

Në atë të ardhme shfaqet një emër, Leo Messi: "Duhet të presim për të parë nëse Leo do të vijë te Barça. Shpresoj të vijë. Ndoshta pas disa ditësh do të dihet diçka më shumë. E di që të luash me të është shumë e lehtë, sepse Leo mund të luajë me ty nga çdo pozicion, në çdo kohë… Ai është një lojtar që do të donte ta kishte çdo ekip”.

Lewandowski është i vetëdijshëm për rëndësinë e argjentinasit te Barça: “Ai nuk është vetëm një legjendë e Barcelonës, por e ndryshoi tërësisht historinë e klubit. Do të jetë fantastike nëse kthehet te Barcelona”.

Nga një simbol i Barçës te një i bardhë, si Benzema. Polaku dha këndvështrimin e tij: “Do të jetë disi e komplikuar për Real Madridin nëse ai largohet. Nuk e di kur do të largohet, por Benzema është lojtar me shumë rëndësi, një ikonë. Benzema është një nga lojtarët më të mirë në botë”.