Transmetuar më 03-06-2023, 14:16

Durrës- Unaza, varëse, ora, objekte floriri gati për tu bërë pronë e tij, por gjithçka ‘shuhet’ në kufi.

Njoftohet se Policia Kufitare e Portit Durrës dhe Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Bizhutë" në bashkëpunim me autoritetet doganore të Portit. Ky operacion ka për qëllim goditjen e tentativave për kontrabandë sendesh me vlerë në Shqipëri.

Operacioni "Bizhutë" vjen pas një seri operacionesh të tjera të zhvilluara me sukses nga Policia Kufitare dhe Policia e qarkut për parandalimin e trafikimit të armëve, lëndëve narkotike, futjes së parave pa deklarim, kontrabandës së naftës dhe mallrave të tjera të paligjshme.

Si rezultat i operacionit, u sekuestrua një sasi bizhuterish floriri (përfshirë 177 unaza, varëse dhe orë), 1900 euro dhe një sasi e vogël lëndë narkotike, e identifikuar si kokainë.

Drejtuesi i furgonit në të cilin u gjetën bizhuteritë, eurot dhe kokaina u arrestua dhe u vendos në pranga. Ai është shtetasi A.M., 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili po udhëtonte nga Italia për në Durrës.

Operacioni "Bizhutë" u organizua dhe u finalizua si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, analizës së riskut dhe inteligjencës policore. Veprimet e para hetimore u kryen nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës. Materialet procedurale u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës për veprime të mëtejshme.