Transmetuar më 03-06-2023, 13:50

Pavarësisht dënimit me minus 10 pikë në renditje dhe humbjes në sfidën e fundit ndaj Milanit, skuadra e Massimiliano Allegrit ka ende hapësirë ​​për t’u kualifikuar në “Europa League”. Bardhezinjtë do ta dinë fatin e tyre pas ndeshjes kundër Udineses, e planifikuar për nesër në orën 21:00.

Një ndeshje që mund të jetë vendimtare, edhe pse varet nga rezultati i Romës dhe Atalantës. Ja si e prezantoi Allegri në konferencën për shtyp, në prag të javës përmbyllëse të Serie A: “Duhet ta mbyllim mirë nesër në Udine, sepse vijmë nga dy humbje.

Kemi shansin për t’u kualifikuar në ‘Europa League’, për momentin jemi në Ligën e Konferencës. Udinese do të përpiqet të na mundë, nuk ka çfarë të kërkojë më shumë në kampionat. Do të jetë një përballje e fortë. Lojtarët nuk janë robotë, ata dhanë gjithçka midis Empolit dhe Milanit. Na vjen keq, sepse mund të kishim pak shpresë për të përfunduar në top-katërshe".

Mbi kritikat e shumta për këtë sezon dhe të ardhmen, trajneri i Juventusit shtoi: “Në fund të çdo sezoni ne bëjmë një bilanc, qoftë ai fitues apo si ky, ku nuk kemi ngritur asnjë trofe. Kjo është pjesë e punës. Përveç pjesës së fundit të sezonit, e cila ishte anormale, mund të kishim bërë më mirë në pjesën e parë.

Secili prej nesh do të dalë më mirë nga ky sezon për sa i përket ekuilibrit. Kur gjërat shkojnë mirë nuk duhet të emocionoheni, kur ke kësi peripecish nuk duhet të dekurajoheni.

E dija se do të kisha vështirësi për të fituar, që do të thotë se Juve, kur u ktheva, ishte në ndërtim e sipër. Të kesh ambicie për të fituar gjithmonë është ndryshe, por unë kam qenë gjithmonë shumë i qartë për këtë. Ashtu si entuziazmi im nuk vihet në dyshim.

Lojtarët që po lançojmë janë një trashëgimi për futbollin italian. Sezoni i ardhshëm do të jetë ndryshe, nesër në mbrëmje do të kuptojmë se në cilat garat do të luajmë. Do të fillojmë të planifikojmë sezonin e ri dhe të rifillojmë më 10 korrik”.

Një përgjigje e ka Allegri edhe për fansat bardhezinj që kërkojnë largimin e tij: “Në nivel profesional, të gjithë në ‘Continassa’ nuk kanë asgjë për ta qortuar veten. Pastaj, sigurisht që ka të lumtur dhe të pakënaqur; kjo është pjesë e lojës. Futbolli nuk është shkencë ekzakte, duhet t’i analizojmë seriozisht këto dy vite.

Në jetë është e pamundur që të gjithë të bien dakord. E vetmja gjë është të punosh me qetësi dhe profesionalizëm, duke u përpjekur të bësh sa më pak gabime. Ne kemi një bazë të shkëlqyer për sezonin e ardhshëm, ka një zgjidhje për çdo gjë. Mos u mashtroni nga negativiteti, por gjithçka do të vlerësohet nga e hëna”.