Transmetuar më 03-06-2023, 12:57

Nënshkrimi i shumëpritur ka ardhur. Gjithashtu fjalët e para të Leaos kuqezi për shumë vite të tjera. Portugezi foli për veten e tij në një intervistë të gjatë me "Milan TV: "Kjo është ajo që doja. Gjithmonë i kam thënë klubit dhe shokëve të skuadrës se qëllimi im ishte të qëndroja në Milano. Milani ka qenë shtëpia ime që nga dita kur erdha. Më pritën krahëhapur.

Njerëzit këtu kanë qenë gjithmonë pranë meje, edhe në kohë të vështira. Këtu çdo ditë mund të përmirësohem. Milani është familja ime, më ndihmon të rritem dhe të bëhem më i fortë. Kjo është ajo që prisja kur erdha këtu.

Në dy sezonet e para numrat nuk ishin ato që doja, por sot jam një lojtar tjetër, më i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm se kur duhet të dribloj apo të gjuaj. Gjithashtu, për këtë arsye u bëra më efikas në finalizim, edhe falë ndihmës së Piolit, i cili në një moment kuptoi sesi të më shfrytëzonte për të përfituar sa më shumë nga aftësitë e mia.

Jashtë fushës ai më jep këshilla çdo ditë. Me Milanin dua të fitoj sa më shumë, të rijetoj emocionet e titullit. Pikërisht kur fituam titullin kuptova se çfarë është Milani. Dua të falënderoj klubin që ka mbajtur lojtarët më të mirë në skuadër, jam i lumtur që mund të vazhdoj të luaj me ta.

Nga ana tjetër, Ibra më mësoi të mos dorëzohem kurrë, ishte shumë e rëndësishme të kisha pranë meje dikë me përvojën e tij. Përpara një ndeshjeje themelore, ai më thotë të futem në fushë dhe t’iu tregoj të gjithëve se çfarë vlerash kam. Ibra ishte tepër i rëndësishëm për rritjen time”.

Intervista u krye në një tarracë me pamje nga "Piazza Duomo". Dhe Rafa kujton festën e titullit: "Të shihja atë të mbuluar me ngjyrat kuqezi ishte momenti më i mirë i karrierës sime, nuk kam përjetuar kurrë emocione të tilla.

Kur mbërrita e dija se çfarë ishte Milani, por vetëm kur dola në fushë në ‘San Siro’ e kuptova se çfarë do të thotë të veshësh këtë fanellë. Ajo peshon, ju keni shumë përgjegjësi kur luani. Jam krenar që mund ta bëj këtë dhe të vazhdoj të shkruaj historinë time te kuqezinjtë".