Transmetuar më 03-06-2023, 09:40

Ka mbërritur hetimi për atë që ndodhi pas ndeshjes Romë-Sevilla. Në fakt, UEFA ka hapur një procedurë disiplinore ndaj José Mourinhos “për fyerje dhe gjuhë ofenduese ndaj një zyrtari të ndeshjes”, referuar incidentit që ndodhi në parkingun e stadiumit të Budapestit. Hetimi ka të bëjë me finalen e “Europa League”, e fituar 5-2 pas penalltive nga skuadra spanjolle dhe e luajtur tri ditë më parë në “Puskas Arena”.

Një hetim është hapur edhe për verdhekuqtë për "sjellje jo korrekte nga ekipi". Roma do të duhet të përgjigjet për "hedhje objektesh, ndezje fishekzjarresh, akte dëmtimi" nga tifozët e saj. Komiteti i etikës dhe disiplinës i UEFA-s do të vendosë për këtë në kohën e duhur.

Procedurat disiplinore hapen edhe ndaj Sevilla. Klubi andaluzian do të duhet të përgjigjet për “sjelljen e pahijshme të skuadrës dhe tifozëve të tij në ‘Puskas Arena’, për pushtim të fushës, hedhjen e objekteve dhe ndezjen e fishekzjarreve”.

Pas sulmit ndaj gjyqtarit Anthony Taylor nga disa tifozë të Romës në aeroport, policia hungareze arrestoi dy nga mbështetësit verdhekuq. Njëri është liruar pas marrjes në pyetje, ndërsa i dyti do të mbahet deri të hënën.

"Ne dënojmë ashpër sjelljen abuzive ndaj Taylor". Kjo është esenca e deklaratës së lëshuar nga UEFA pas ngjarjeve të pardjeshme, sulmit të disa tifozëve të Romës ndaj arbitrit që drejtoi finalen e “Europa League”.

https://noa.al/lajmi/2023/06/2387235.html

https://noa.al/lajmi/2023/06/2387068.html

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd