Transmetuar më 02-06-2023, 22:07

Beteja ligjore për zëvendësimin e termave ‘babai’ dhe ‘nëna’, me ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’ përfundoi pak ditë më parë, në Gjykatën Administrative në Tiranë. Maratona gjyqësore, që zgjati dy vjet kishte si protagonistë pastorin Akil Pano dhe pjesëtarët e Komunitetit LGBTQIA+. Ishte Pastor Akil Pano, i cili shpërndau menjëherë lajmin, duke e konsideruar vendimin si një fitore të madhe të familjes.

Gjyqi përfundoi, por duket se ndasitë mes dy palëve kundërshtare do të vazhdojnë për një kohë të gjatë.

Emisioni ‘Piranjat’ vuri përballë të dyja palët. Pjesëtarët e komunitetin LGBTQIA+ këmbëngulin se nuk ka ekzistuar asnjë proces për çështjen e ‘prindit 1’ dhe ‘prindit 2’ dhe se gjyqi ishte një ankimim ndaj vendimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Shkak për këtë ankimim ishte gjuha e urrejtjes e përdorur nga pastori Akil Pano kundrejt personave të këtij komuniteti. Në fakt, ky debat tejet i ndjeshëm për opinionin publik nisi pikërisht në ekranet tona televizive.

Fillimisht termat ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’ u sollën në diskursin publik nga dy prindër në Britaninë e Madhe dhe më pas u përhapën në shumë vende. Por në vendin tonë, debati mori përmasa të mëdha dhe përfshiu figura publike, njerëz të ekranit dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.

Debati u ndez akoma më tepër pas shpërndarjes së një formulari nëpër kopshtet e kryeqytetit, ku nëna dhe babai futeshin në kllapa, për t’u zëvendësuar me fjalët prindi 1 dhe prindi 2. Pas padisë së komunitetit, ndaj pastor Panos hapet një çështje e re. Kësaj herë nga Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit.

Pastori thekson se e gjithë maratona gjyqësore nisi pas diskurseve të tij publike, në mbrojtje të lirisë së fjalës. Sipas tij, vendimi i Komisionerit erdhi si pasojë e një skenari të qëllimtë, kundër individëve që mbrojnë familjen tradicionale. Ndërsa për aktivisten Karaj beteja e pastorit është një fushatë dezinformuese, që nxit urrejtjen ndaj personave të komunitetit. Beteja e madhe mes konservatorizmit përballë liberalizmit duket se do të jetë e gjatë, ashtu sikurse dhe paqja nga të dyja palët. Syri