Transmetuar më 02-06-2023, 18:32

Tiranë- Gjykata e Tiranës dha vendimin për 16 vite burg për Levendin për vrasje me paramendim, por duke përfituar nga ulja e dënimit, do të qëndrojë në qeli për 10 vite e 8 muaj.

Vrasja ndodhi në 18 mars 2019, në rrugën “Zef Jubani” kohë kur 26-vjeçari Jurgen Kurti u qëllua për vdekje nga tre persona. I riu, që ishte i njohur për punën si menaxher i personazheve publik, u qëllua me 17 plumba teksa po dilte nga palestra.

Vrasësi qëndroi në një kafe më shumë se një orë duke e pritur viktimën, madje shkrepi edhe fotografi të vendit, ku i riu po bënte palestër. Menjëherë pasi e qëlloi për vdekje Jurgen Kurtin, vrasësi u largua me taksi.

Gjykata e Apelit sot la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës që e dënoi Leventin me 16 vjet burgim por duke përfituar nga ulja e dënimit ai do të kryejë 10 vite e 8 muaj burg.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale E.L, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 18.03.2019, ku në rrugën “Zef Jubani” Tiranë, rreth orës 22:15, është vrarë me armë zjarri shtetasi me iniciale J.K, i akuzuar për këtë ngjarje është shtetasi me iniciale E.L.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 523, datë 01.03.2021 ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit E. L, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasit J.K, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 16 (gjashjtëmbëdhjetë) vjet burgim. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri L do të vuajë 10 (dhjetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:

– Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e masës së dënimit me 25 vjet burgim.

– Nga i pandehuri me iniciale E.L, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, pasi çështja penale për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim nuk duhej të fillonte.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 02.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr.523 datë 01.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.