Transmetuar më 02-06-2023, 11:49

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri lë burgun, për të vazhduar dënimin në “arrest shtëpie”, sipas vendimit të gjykatë së Elbasanit.

Me kërkesë të prokurorit të çështjes Mustafa Turku, gjyqtarja Matilda Fetahu shpalli vendimin për të liruar Tahirin. Vendimi u dha në Gjykatën e Elbasanit, në orën 09:00.

Për ish-ministrin, janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse si nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.

Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, thotë se Tahiri duhet të kujdeset për fëmijët, pasi bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore.

Ai është dënuar për shpërdorim detyre, teksa pak muaj më parë iu drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Elbasanit për njohjen e kohës së paraburgimit.

Seanca e planifikuar gjatë vjeshtës së 2022 u shty pasi u kërkua zëvendësimi i gjyqtarit Elis Dine me gjyqtarin Elton Frashëri i cili kërkoi kohën e mjaftueshme për t’u njohur me përmbajtjen e dosjes.

Më 4 shkurt të 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë e dënoi ish-ministrin Sajmir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’.

Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.