Transmetuar më 02-06-2023, 10:50

Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se do të qëndrojë në Arabinë Saudite me Al Nassr sezonin e ardhshëm, por tha se “Saudi Pro League” (SPL) duhet të përmirësohet për t’u bërë një nga ligat më të mira në botë.

Ronaldo, 38 vjeç, shënoi 14 gola në 16 ndeshje për Al Nassr me bazë në Riad, pas transferimit të tij në janar, teksa kontrata që kishte me Manchester United u ndërpre me pëlqim reciprok nëntorin e kaluar.

Ish-sulmuesit të Real Madridit dhe Juventusit mund t’i bashkohet në Arabinë Saudite ish-shoku i skuadrës së bardhë, Karim Benzema. Burimet kanë thënë për ESPN se francezi do t’iu bashkohet kampionëve të sapokurorëzuar sauditë të Al Ittihad, ndërsa më herët është raportuar se edhe Lionel Messi ka marrë një mega-ofertë për t’u bashkuar me Al Hilal kur të largohet nga PSG, këtë verë.

Pavarësisht se ka thënë se e ka shijuar periudhën e tij të shkurtër në Arabinë Saudite, ylli portugez ngulmon se hallka të tilla si arbitri dhe VAR duhet të përmirësohen.

“Liga saudite është shumë e mirë, – tha Ronaldo në një intervistë për ‘SPL’. – Megjithatë, unë mendoj se kemi shumë, shumë mundësi për t’u rritur akoma. Kampionati këtu është konkurrues. Ne kemi ekipe shumë të mira, lojtarë shumë të mirë arabë, por ata duhet të përmirësojnë pak më shumë infrastrukturën.

Edhe gjyqtarët, sistemi VAR, duhet të jenë pak më të shpejtë. Mendoj se gjëra të tjera të vogla duhet të përmirësohen. Unë jam i lumtur këtu, dua të vazhdoj këtu, do të vazhdoj këtu. Nëse drejtuesit vazhdojnë t’i bëjnë gjërat me këtë ritëm evolutiv, për pesë vitet e ardhshme, mendoj se liga saudite mund të jetë një pesë më të mirat në botë”.

Me Benzema, Messi dhe lojtarë të tjerë të profilit të lartë të lidhur me kalimin në Arabinë Saudite, Ronaldo tha se ardhjet e tilla të emrave të mëdhenj do të përshpejtojnë procesin e përmirësimit të ligës: “Nëse ata vijnë, lojtarë të mëdhenj dhe emra të mëdhenj, lojtarë të rinj, ‘lojtarë të vjetër’, ata janë shumë të mirëpritur. Nëse kjo ndodh, liga saudite do të përmirësohet ndjeshëm”.

Ronaldo e ka përfunduar sezonin e tij të parë me Al Nassr pa çmime të argjendta për shkak të fitimit të titullit nga Al Ittihad dhe Kupës së Mbretit nga Al Hilal. Ndërkombëtari portugez pranon se priste të fitonte diçka këtë sezon, pas lëvizjes së tij tek Al Nassr:

"Epo, pritshmëria ime ishte pak më ndryshe. Të jem i sinqertë prisja të fitoja diçka këtë vit, por nuk ndodh gjithmonë ashtu siç mendojmë apo siç duam. Ndonjëherë na duhet pasion, qëndrueshmëri dhe këmbëngulje për t’i arritur gjërat më të mira. Sidoqoftë, unë ende besoj se vitin e ardhshëm do të përmirësohemi shumë. Le të themi në pesë-gjashtë muajt e fundit, ekipi është përmirësuar shumë, edhe liga, të gjitha skuadrat janë përmirësuar.

Ndonjëherë duhet kohë, por nëse beson te qëllimi yt, gjithçka është e mundur. Prisja të fitoja diçka këtë vit, por nuk e bëmë. Për sezonin e ardhshëm jam vërtet pozitiv dhe i bindur se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Pra, le ta besojmë këtë dhe të punojmë për të".

Ndërkohë, Ronaldo tha se përshtatja me kulturën e Lindjes së Mesme ka qenë një sfidë: "Një shembull është se në Evropë ne stërvitemi më shumë në mëngjes, ndërsa këtu stërvitemi pasdite ose në mbrëmje. Për Ramazan stërvitemi në 10 të natës, kështu që kjo është kaq e çuditshme.

Por këto situata janë pjesë e një eksperience, kujtimesh. Më pëlqen t’i jetoj këto momente, sepse mësoj edhe nga të tilla gjëra. Është e vështirë, por nuk është asgjë që nuk e kam shikuar më parë. Përvoja ime deri më tani është se tifozët sauditë e duan vërtet futbollin dhe u pëlqen ta jetojnë jetën. Jam shumë i lumtur deri më tani”.