Transmetuar më 01-06-2023, 20:00

Bisedime kino-amerikane në takimin e APEC -ut

Në konferencën e shtypit të mbajtur të enjten, zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shu Jueting iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me marrëdhëniet ekonomike-tregtare kino-amerikane dhe çështje të tjera.

Sipas uebsajtit të Ministrisë së Tregtisë, gjatë mbledhjes së ministrave të tregtisë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC), ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao dhe sekretarja amerikane e Tregtisë Gina Raimondo patën një diskutim të sinqertë, profesional dhe konstruktiv mbi marrëdhëniet ekonomike e tregtare kino-amerikane dhe çështjet ekonomike e tregtare me interes të përbashkët.

Pala kineze shprehu shqetësimin e madh për politikën ekonomike dhe tregtare të ShBA-së ndaj Kinës, politikën e gjysmëpërçuesve, kontrollin e eksporteve dhe rishikimin e investimeve të huaja.

Lidhur me këtë, zëdhënësja Shu Jueting vuri në dukje: “Politikat e industrisë së gjysmëpërçuesve, si ‘Akti i mikroçipave dhe i shkencës’ të palës amerikane dhe kontrolli i eksportit janë shqetësimet e rëndësishme ekonomike-tregtare të palës kineze, si edhe janë çështjet kyçe të paraqitura nga ministri Wang Wentao gjatë bisedimeve me palën amerikane. Të dyja palët kanë zhvilluar shkëmbime të thella për këtë dhe ranë dakord për të vazhduar diskutimet.”

Gjatë takimit, Kina dhe ShBA-ja ranë dakord të krijojnë kanale komunikimi për të ruajtur dhe të forcuar shkëmbimet për shqetësime të veçanta ekonomike e tregtare dhe çështje bashkëpunimi.

Të mërkurën, ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao u takua me kryekzekutivin e "Tesla"-s Elon Musk. Të dy palët zhvilluan shkëmbime të gjera e të thelluara për çështje të tilla si bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar kino-amerikan. Para kësaj, ministri Wang Wentao kryesoi një simpozium në Shangai për të dëgjuar lidhur me kushtet e funksionimit të kompanive të financuara nga ShBA-ja në Kinë dhe opinionet e tyre mbi optimizimin e vazhdueshëm të mjedisit të biznesit në Kinë.

Një sërë ndërveprimesh ekonomike-tregtare Kinë-ShBA kanë tërhequr vëmendjen e botës së jashtme. Në lidhje me këtë, Shu Jueting tha:

“Shpresojmë se pala amerikane do të punojë me Kinën për të menaxhuar dallimet mbi parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, dhe së bashku të ruajnë dhe thellojnë bashkëpunimin praktik ekonomik e tregtar dypalësh, në mënyrë që të përfitojnë të dy vendet e popujt dhe të nxitet zhvillimi i ekonomisë botërore”.