Transmetuar më 02-06-2023, 08:08

"Novak është në të vërtetë Iron Man". Kështu ka bërë shaka ish-kampioni amerikan Jim Courier gjatë raportit të ndeshjes së fituar nga Novak Djokovic ndaj hungarezit Marton Fucsovics në raundin e dytë të “Roland Garro”.

Kjo shaka erdhi kur tenisti i njohur serb u kap nga kamerat teksa ndërronte këmishën e tij. Pamjet zbuluan një objekt të vogël metalik të fiksuar si me suva transparente në qendër të gjoksit të tij. Me sa duket bëhet fjalë për një mikroçip të vogël, të pajisur me nanoteknologji.

Në konferencën për shtyp në fund të takimit, Djokovic u mjaftua me këtë shpjegim jo shterues: “Kur isha fëmijë më pëlqente shumë Iron Man, kështu që përpiqem ta imitoj atë”. Më pas, ish-numri një i botës, aktualisht në vendin e tretë në renditjen e ATP-së, shtoi me një ton më serioz:

“Duhet ta dini se ekipi im më ofron nanoteknologji jashtëzakonisht efikase për të më ndihmuar të jap maksimumin në fushë”. Më pas e mbylli deklaratën duke shtuar misterin: “Ky është sekreti më i madh i karrierës sime”.

Po çfarë personifikon Iron Man? Është një superhero që shfaqet në librat komikë amerikanë të botuar nga Marvel Comics. Si personazh është bashkë-krijuar nga shkrimtari dhe redaktori Stan Lee, zhvilluar nga skenaristi Larry Lieber dhe projektuar nga artistët Don Heck dhe Jack Kirby.

Ai u shfaq për herë të parë në “Tales of Suspense #39” (kopertina e vitit 1963), dhe mori titullin e tij “Iron Man” (në maj 1968). Në vitin 1963, personazhi themeloi ekipin e superheronjve “Avengers superhero team with Thor”, “Ant-Man”, “Wasp and the Hulk”.