Transmetuar më 01-06-2023, 14:03

Ylli argjentinas, shtatë herë fituesi i “Topit të Artë”, Lionel Messi, do të largohet pas dy sezonesh nag kryeqyteti parizien. Atij i përfundon kontrata me skuadrën franceze më 30 qershor dhe nuk do të vazhdojë më. Në tavolinë thuhet se ka propozimin e Barçës për t’u rikthyer aty ku u bë më i madhi ndonjëherë, dhe të futbollit saudit, i cili dëshiron ta bashkojë me Cristiano Ronaldon.

Ishte trajneri i kampionëve francezë, Christophe Galtier, ai që konfirmoi ndarjen mes palëve: "Kam pasur privilegjin të trajnoj lojtarin më të mirë në historinë e futbollit. Do të jetë ndeshja e fundit e Leos në ‘Parc des Princes’ kundër Clermont".

Ish-kapiteni i Barcelonës do ta mbyllë ciklin e tij francez me titullin e Ligue 1 dhe me llogarinë në pritje të Champions League. Ekipi parizien u eliminua nga Bayern Munich në 1/8 finale, pasi bëri të njëjtën gjë kundër Real Madridit sezonin e kaluar. Në moshën 35-vjeçare, shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” ka shënuar 21 gola dhe ka dhënë 20 asiste në 40 ndeshjet që ka luajtur me PSG-në.

Informacionet e fundit bëjnë me dije se lojtari argjentinas ka hyrë në “ekuacion” me Inter Miami, skuadër në pronësi të ish-lojtarit David Beckham. MLS vazhdon të rritet me hapa të mëdhenj dhe mundësia e promovimit të Kupës së Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë me imazhin e tij është një tërheqje interesante.

Gjithçka është në tryezën e vetë lojtarit. Kë do të zgjedhë: Barça, MLS apo Arabia Saudite? Klubi blaugrana e ka pranuar tashmë në më shumë se një rast se dëshira e të gjitha niveleve është ta kthejnë në “Camp Nou”. Lojtarët, trajneri, menaxherët dhe presidenti janë pozicionuar në favor të rikthimit të tij. Tani për tani, e ardhmja e tij është me siguri larg Parisit. Hapi tjetër nuk dihet…