Transmetuar më 01-06-2023, 13:50

Bayern Munich u shpall kampion i Bundesligës me "foto-finish" që të ndalonte zemrën dhe menjëherë pas kësaj shpërtheu stuhia. Klubi bavarez zyrtarizoi shkarkimet e Hasan Salihamidzic, drejtor sportiv, dhe Oliver Kahn, president i bordit të drejtorëve të klubit, gjë që shkaktoi një kryqëzim të deklaratave.

Këtë herë ka qenë Axel Kahn, vëllai i Oliver, i cili ka qenë shumë kritik ndaj Bayern Munich. "Një vendim i tillë nuk merret brenda natës. Do të kisha dashur që ta informonin Oliver më herët. Mirë do të kishte qenë nëse do të uleshin disa muaj më parë dhe do t’i shpjegonin se duan të ndahen në verë, – shpjegoi ai për "Sky Sports".

– Ne kemi arritur gjithmonë t’i njollosim ikonat tona në Gjermani: Boris Becker, Michael Schumacher… Oliver është baltosur për muaj të tërë, çdo vendim është i lidhur me të në mënyrë negative. Duhet të kemi pak. më shumë respekt”.

Për mënyrën se si ndihet vëllai i tij pas shkarkimit nga skuadra bavareze, ai tha për "Sky Sports": "Po mundohet ta kalojë momentin e vështirë psikologjik. Nuk kam pasur asnjë kontakt me Oliver në dy ditët e fundit. Tani meriton ta marrë veten, lërini gjërat të qetësohen pak. Nuk bëhet fjalë për të hyrë në ring, por për t’i dhënë pak qetësi".

Nga ana tjetër, Oliver Kahn nuk ka qenë në festimet e titullit të Bundesligës. Vetë ai ka marrë përsipër të shpjegojë arsyen me një mesazh në llogarinë në Twitter. “Do të doja të festoja me ju, por për fat të keq nuk mund të jem atje sot, sepse klubi ma ka ndaluar”.