Vetëm Ancelotti dhe Ferguson (nga 10 finale) kanë luajtur në më shumë finale evropiane se ai. "Special One" u përpoq ta ngrinte trofeun e UEFA-s për të gjashtën herë mbrëmë në "Puskas Arena", por nuk ia doli. Finalja e parë? 20 vite më parë në… Seville.
1. KUPA UEFA 2002-2003 (PORTO)
Nga Sevilla… në Seville. Kur triumfoi për herë të parë në Evropë, José ishte vetëm 40 vjeç. Porto nënshkroi me të në janar 2002 dhe ai, brenda një viti e gjysmë, udhëhoqi Deco, Carvalho dhe të tjerë drejt suksesit në Evropë. Në finalen e Kupës UEFA, në zemër të Andaluzisë, portugezi mundi Celtic 3-2, pas kohës shtesë.
2. SUPERKUPA EVROPIANE 2003 (PORTO)
Me më pak fat ishte tentativa e dytë, në Superkupën Evropiane, pak muaj pas festës së Seville. Në fakt, Porto e Mourinhos duhej të ndeshej me Milanin, i freskët nga suksesi i tij në Champions League. Finalja përfundoi 1-0 për kuqezinjtë, me golin e Shevchenko.
3. LIGA E KAMPIONEVE 2003-2004 (PORTO)
Në stolin e Romës, Mourinho kishte mundësinë të mbyllte një rekord dyvjeçar, duke pushtuar "Europa League" vetëm një vit pas triumfit në Ligën e Konferencës (në Tiranë). Në kohën e Portos, megjithatë, ai arriti të bënte edhe më mirë: fitoi Kupën UEFA më 2003 dhe më pas Ligën e Kampionëve në vitin 2004, rezultat i fitoreve kundër Manchester United, Lyon dhe Deportivo La Coruna, përpara 3-0 në finale kundër Monaco.
4. LIGA E KAMPIONEVE 2009-2010 (INTER)
Rikthimi në "çatinë" e Evropës daton në vitin 2010, viti i tripletës me Interin. Mourinho e mbyll periudhën dyvjeçare në Milano duke fituar Kupën e Italisë, Serie A dhe Ligën e Kampionëve. Zikaltrit mundën Bayern Munich 2-0 në "Bernabeu" (dy gola nga Milito), pasi eliminuan kampionët në fuqi të Barçës në gjysmëfinale.
5. SUPERKUPA EVROPIANE 2013 (CHELSEA)
Pasi fitoi gjithçka me Interin, Mourinho nënshkroi me Real Madridin dhe në vitin 2013 vendosi të rikthehej te Chelsea. Blutë me trajner Benitez triumfuan në "Europa League", sezonin pararendës. "Special One" u thirr kështu të udhëheqë Lampardin dhe shokët e tij në Superkupën kundër Bayern Munich, të fituar nga bavarezët me penallti. Nga pika e bardhë, gabimi vendimtar ishte i Romelu Lukakut.
6. LIGA E EVROPËS 2016-2017 (MANCHESTER UNITED)
Superkupat, ndeshjet e drejtpërdrejta, ndoshta nuk janë arma e tij më e fortë. Gjithsesi, sa herë që trajneri i Romës ka arritur fundin e një turneu europian, gjithmonë është gëzuar. Demonstrimi i shumëfishtë vjen në vitin 2017, me Manchester United, kur Pogba dhe Mkhitaryan mundën Ajaxin (2-0) në finalen e Stokholmit.
7. SUPERKUPA EVROPIANE 2017 (MANCHESTER UNITED) Këtë herë Lukaku nuk gaboi. Në Shkup të Maqedonisë, Romelu startoi dhe shënoi. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për Manchester United, duke qenë se goli i sulmuesit belg erdhi pas golave të Casemiro dhe Isco. Real Madridi i Zidane, i freskët nga triumfi i tretë i Ligës së Kampionëve në katër sezonet e fundit, palosi "Djajtë e Kuq" dhe e mori trofeun në shtëpi.
8. LIGA E KONFERENCËS 2021/2022 (ROMA)
Finalja e tetë e "Special One" daton vetëm një vit më parë, pak muaj pas rikthimit të portugezit në Itali. Në fakt, në Tiranë, verdhekuqtë fituan 1-0 ndaj Feyenoord. Goli vendimtar erdhi në minutën e 32-të dhe u shënua nga Nicolò Zaniolo.
9. LIGA E EVROPËS 2022/2023 (ROMA)
I shkoi afër triumfit mbrëmë, por nuk pati fat nga penalltitë. Natyrisht, "Special One" pati pretendime edhe nga gjykimi, por e humbi finalen e Budapestit. Po të fitonte sërish këtë vit, José do të siguronte një biletë për në finalen e Superkupës së Europës, duke barazuar kështu rekordin e finaleve të UEFA-s, të mbajtur nga Ancelotti dhe Ferguson. Andaluzianët për Mourinho ngjallnin kujtime të vjetra dhe të ëmbla… Mbrëmë i "treguan targën" në "Puskas Arena"…