
13 vite më parë, ai e fitoi Ligën e Kampionëve si lojtar dhe kapiten i Interit. Tani, Javier Zanetti shpreson ta përsërisë veten si drejtues në finalen e Champions League kundër Manchester City. I intervistuar nga “Sportmediaset”, zv.presidenti zikaltër karikoi skuadrën e tij përpara sprovës së madhe të Stambollit:
“Ndjej emocion të madh. Nëse shohim rrugën, mund të them se djemtë kanë arritur me meritë në këtë finale. Tani duhet të bëjmë përpjekjen e fundit dhe të kurorëzojmë ëndrrën e madhe. Një finale e Champions League nuk ndodh çdo ditë. Ekziston kjo mundësi e madhe dhe ne shpresojmë të arrijmë atje në mënyrën më të mirë të mundshme".
Edhe drejtori Beppe Marotta foli për finalen në margjinat e prezantimit të librit të Adriano Gallianit: “Galliani tha se do të jetë në Stamboll për të mbështetur Interin. Ne kemi një marrëdhënie nderimi reciprok, fakti që do të vijë në finalen e Champions-it më mbush me krenari dhe kënaqësi”.
Ndërkohë, Zanetti ka dhënë edhe një intervistë për “TycSports”, duke folur për të ardhmen e Lionel Messit, i cili do ta përfundojë kontratën me PSG: “Kush nuk do të donte ta kishte atë në skuadër? Megjithatë, ne nuk mundemi ta marrim. Dhe kjo është e drejtë për atë që ai përfaqëson dhe vlen.
Interi po bën gjëra të mira, me një projekt sportiv dhe ekonomik në përputhje me atë që mund të shpenzojë dhe të përballojë, duke respektuar ‘fair play financiar’. Lautaro Martinez? Jam i qetë për të ardhmen e tij, e shoh të lumtur me ne dhe e di se çfarë përfaqëson për Interin. A e dëshiron Real Madridi atë? Ne nuk dimë asgjë dhe jemi të qetë".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





