Transmetuar më 01-06-2023, 08:32

Ka nisur për të katërtën ditë radhazi protesta e serbëve në veri të Kosovës. Dhjetëra protestues janë mbledhur para komunës së Zveçanit dhe Leposaviq, ku misioni i KFOR-it ka shtruar masat.

Qytetarë në Zveçan kanë nisur të grumbullohen që nga orët e para të mëngjesit, por në numër më të vogël se dje.

Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, që funksionon nën sistemin e Serbisë, janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tavolinë, si dëshmi “që vijnë në punë”.

Në Leposaviq janë mbledhur një numër i vogël protestuesish serbë. Objektin e komunës është duke e ruajtur Policia e Kosovës, ndërsa forca të KFOR-it nuk janë në terren aktualisht.

Ndërkohë, udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në një postim në Twitter pas takimit, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”.

“Na duhet shtensionim urgjent dhe zgjidhje përmes dialogut”, tha ai.