Transmetuar më 31-05-2023, 08:57

José Mourinho po përgatitet të luajë një tjetër finale evropiane të karrierës së tij si trajner, e dyta radhazi me Romën, pas suksesit në Ligën e Konferencës në Tiranë, një vit më parë. Trajneri portugez, i cili foli në konferencën për shtyp në Budapest, në prag të finales së "Europa League", tha se ishte i sigurt për vlerën e skuadrës së tij: "Ne e meritojmë këtë finale, e meritojmë këtë rrugë pas 14 ndeshjesh. Sevilla favorite? Për ta, një finale europiane është zakon”.

Për të ardhmen e vet, "Special One" i shmangu pyetjet: “Nuk kam pasur kontakte me asnjë klub, kam folur me kapitenët e mi dhe ata e dinë se çfarë mendoj”. Dhe për përdorimin e Dybala: "20-30 minuta mund t’i luajë".

Mbi udhëtimin e gjatë deri në finale shtoi: "Ishte një rrugëtim i gjatë, ndryshe nga ai i kundërshtarit tonë, që vjen nga Champions League. Kemi luajtur 14 ndeshje për të arritur këtu, e meritojmë finalen. Tani është momenti i së vërtetës së madhe, kemi punuar fort në ditët e fundit. Duam të luftojmë.

Sa më shumë lojtarë të përgatitur të dalin në fushë do ta ndiejnë më pak presionin. Mendoj se historia nuk luan shumë rol, Mendilibar mendon ndryshe. Ai e sheh Sevilla si favorite. Një finale europiane është zakon për ta, por për ne është diçka historike".

Për të ardhmen: “Kushdo që ka pyetje për të ardhmen e dikujt të pyesë Mendilibar (trajnerin e Sevilla), sepse është ai që nuk ka kontratë. Fola me kapitenët e mi, iu përgjigja objektivisht dhe nuk do t’ju tregojnë çfarë kam thënë. Ata e dinë se çfarë mendoj unë, krahasuar me vitin 2010. Situata është ndryshe, sepse gjithçka ishte kryer me Realin. Sot nuk kam kontakte me klubet e tjera".

Zërat nga Madridi: "Unë e dua shumë Real Madridin, e dua shumë presidentin dhe trajnerin. Sidoqoftë, trajneri nuk luan, ai punon shumë para ndeshjes, gjatë ndeshjes më pak. I thashë stafit tim: Sot puna jonë ka mbaruar. Tani djemtë duhet të bëjnë histori".

Finalja e dytë europiane radhazi për Romën: "“Dallimi është se me Tottenhamin më shkarkuan para finales në ‘Wembley’. Te Roma më dhanë mundësinë të luaj në finalen e Tiranës dhe tani jam para finales së Budapestit.

Finalja e dytë, çfarë do të thotë? Unë mendoj se gjithmonë ka diçka më të madhe, por më i madhi nuk kënaqet kurrë. Ne dhamë 100% vitin e kaluar dhe e fituam atë finale me shumë emocione. Këtë vit dhamë 100% në Ligën e Evropës dhe dëshira është ta fitojmë. Ne e dimë se do të jetë e vështirë, por do të jetë e vështirë edhe për ata. Jemi krenarë që jemi këtu dhe kemi ndjekur këtë rrugë që na ka përmirësuar".