Transmetuar më 30-05-2023, 11:11

Eksperienca e Neymar në PSG ka marrë fund. Ai që ishte nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit do të largohet nga kryeqyteti parizien këtë verë, si një nga "kokat e para të turkut" për revolucionin total që skuadra po përgatit.

Marrëdhënia mes yllit brazilian dhe skuadrës pariziene ka shpërthyer pas episodit të fundit të diskutueshëm të anësorit brazilian. Neymar ka munguar në festën e titullit kampion në Strasburg, një vendim që nuk i ka pëlqyer klubit.

Në vend të kësaj, braziliani (i cili është lënduar prej javësh) preferoi të merrte pjesë në GP e Monakos dhe në një turne pokeri. Lojtari ka injoruar festimet e skuadrës së tij dhe ka sosur durimin e PSG-së.

Vendimi i klubit, i drejtuar nga Luis Campos, ka qenë që të ndahet me brazilianin këtë verë. Sipas raportimeve nga "L’Équipe", vendimi nuk mund të anulohet dhe eksperienca e lojtarit në Paris do të përfundojë në muajt e ardhshëm.

Mirëpo, marrëdhënia mes lojtarit dhe drejtuesve të skuadrës është prishur prej kohësh. Mosmarrëveshjet e shumta që kanë ndodhur gjatë gjithë sezonit kanë sjellë një situatë të pariparueshme mes të dyja palëve.

Ylli brazilian do të duhet të kërkojë një destinacion të ri për sezonin e ardhshëm. Si destinacion i mundshëm po shihet një nga skuadrat më të njohura në kontinent, Manchester City i Pep Guardiolës.