Transmetuar më 28-05-2023, 09:35

SERBI- Dorëheqja e presidentit serb, Aleksander Vuçiç, nga pozita e kryetarit të partisë s’ka kaluar pa rënë në syrin e mediave të mëdha botërore. Associated Press e cilëson këtë lëvizje si një taktikë për të krijuar një lëvizje më të gjerë politike për shkak se po përballet me një valë protestash anti-qeveritare, shkruan Danas.

Sipas tyre, Vuçiç shpesh është kritikuar që po vazhdon të mbajë dy pozita, atë të presidentit dhe të kryetarit të partisë. Sipas analistëve, kjo është një përpjekje e presidentit të Serbisë për të rigrupuar sa më shumë njerëz pas një dekade pushtet dhe pas presionit publik gjithmonë e më shumë në rritje.

Associated Press përmend protestat masive që po organizohen pas dy ngjarjeve tragjike, dhe përmenden gjithashtu edhe akuzat e protestuesve drejt qeverisë për krijimin e një atmosfere me gjuhë urrjetjeje kundër kundërshtarëve politikë dhe fushatat e pamëshirshme propagandistike në mediat kryesore serbe.

Agjencia amerikane shkruan se partitë opozitare janë zotuar të vazhdojnë demonstratat deri në plotësimin e kërkesave të tyre, të cilat përfshijnë shkarkimin e ministrit të brendshëm dhe kreut të shërbimit inteligjent, heqjen e licencave të transmetimit për dy stacione televizive pro-qeveritare dhe shkarkimin e organit të monitorimit të medias.

Ndërkohë për lëvizjen e re të presidentit të Serbisë ka shkruar edhe mediumi francez FP, duke thënë se mitingu i orgnaizuar të premten ngjante me një fushatë elektorale.

‘France Press’ raportoi deklaratën e drejtorit ekzekutiv të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CESID), Bojan Klaçar, i cili ka thënë se krijimi i një lëvizje të re politikë shtë “një mënyrë për të kapërcyer krizat që potencialisht mund të shpërthejnë brenda SNS”.

Klaçar shtoi se Vuçiç dëshiron të sigurojë një mandat tjetër politik duke krijuar një lëvizje të re.

Me sugjerimin e Vuçiçit, kryetar i SNS-së u zgjodh ministri aktual i Mbrojtjes Millosh Vucevic. Partia e Vucicit është përballur me një presion të madh publik për gati një muaj, pas dy vrasjeve masive në fillim të majit, në të cilat 18 persona, përfshirë nëntë studentë, u vranë në një shkollë në Beograd.

Që atëherë, disa dhjetëra mijëra njerëz, të udhëhequr nga opozita, dalin në rrugët e Beogradit një herë në javë për të protestuar kundër dhunës në media dhe në sferën politike

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd