Transmetuar më 27-05-2023, 15:40

KOSOVË- Pas përleshjeve të dhunshme mes policisë kosovare dhe protestuesve që kundërshtonin kryetarët e rinj shqiptarë të 4 komunave veriore, një reagim ka ardhur edhe nga Moska. Reuters raporton se Rusia bëri përgjegjës Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe tha se po e shikonte situatën me shqetësim.

“Ne dënojmë me vendosmëri hapat provokues të Prishtinës, të cilat e kanë sjellë situatën afër fazës së nxehtë dhe kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë rajonit të Ballkanit. Përgjegjësia për këtë është plotësisht e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”, theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, duke shtuar se qortimet e Kosovës nga “ndërmjetësuesit perëndimorë” kishin ardhur shumë vonë.

Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?

Një ditë para në të 4 komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi, ku para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç u mblodhën edhe qytetarë. Situata u agravua ndërsa u dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe u hodh gaz lotsjellës nga policia për të shpërndarë protestuesit të cilët dogjën edhe makina. Protesta u zhvillua në shenjë revolte nga protestuesit serb kundrejt kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në katër komunat me shumicë serbe.