Transmetuar më 27-05-2023, 08:08

Ankara- Turqia shkon nesër në zgjedhje. Klima ka qenë e tensionuar 24 orë para se qytetarët e vendit të shkojnë sërish në kutitë e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Ndërsa kandidatët kryesorë Recep Tayyip Erdogan dhe Kemal Kilicdaroglu, të cilët nuk arritën të sigurojnë presidencën në raundin e parë, përgatiten për zgjedhjet e së dielës, sistemi i aleancës politike të Turqisë është bërë më kompleks, i karakterizuar nga debate polarizuese për çështje të tilla si nacionalizmi, refugjatët sirianë dhe kurdët.

Në të njëjtin vit që Turqia mbush 100 vjet nga themelimi i shtetit modern turk, atmosfera politike e vendit është bërë më e pasigurt se kurrë. Presidenti turk po përpiqet të zgjasë 20 vitet e tij në pushtet edhe me pesë të tjera, pasi rivali i tij joshë votat nacionaliste duke premtuar se do të dëbojë miliona refugjatë sirianë nëse ai rrëzon Erdoganin, i cili e ka akuzuar atë për gjuhë urrejtjeje. Erdogan tha se fitorja për liderin e opozitës do të ishte një fitore e “terroristëve”.

Kemal Kilicdaroglu, i mbështetur nga një opozitë e gjerë, i ka cilësuar zgjedhjet si një referendum mbi drejtimin e ardhshëm të Turqisë dhe ka kërkuar mbështetjen e votuesve nacionalistë për të rritur shanset e tij për fitore. Kundërshtari i Erdoganit dëshiron të shfuqizojë sistemin presidencial të prezantuar pesë vjet më parë dhe t’i kthejë pushtetin parlamentit dhe kryeministrit. Gjykatat e pavarura dhe shtypi i lirë do të pasojnë.

Roli i presidentit do të jetë rol nderi dhe pesë partitë e tjera në aleancën e Kilicdaroglu do të kenë secila një nënkryetar së bashku me dy kryebashkiakët e qendrës së majtë të Ankarasë dhe Stambollit. Por partia e Erdoganit dhe aleatët e saj nacionalistë dhe konservatorë kanë siguruar një shumicë në parlament dhe nëse aleanca opozitare do të fitonte presidencën, ata mund ta kenë të vështirë të shtyjnë reformat e tyre. Të dielën, qendrat e votimit hapen në orën 08:00 me orën lokale dhe mbyllen në orën 17:00. Raundi i dytë i zgjedhjeve po zhvillohet tre muaj pasi tërmetet në Turqinë juglindore vranë më shumë se 50,000 njerëz.