Kompania ajrore "China Eastern Airlines" (CEA), blerësja fillestare e avionit të parë të udhëtarëve të prodhuar nga Kina, "C919", do të bëjë fluturimin e parë komercial të këtij avioni të dielën, sipas informacionit të publikuar në aplikacionin e kompanisë të premten.
Fluturimi i "C919", që do të nisë më 10:45 të paradites sipas orës së Pekinit, do të ketë numrin MU9191 dhe do të bëhet nga Aeroporti Ndërkombëtar "Hongqiao" i Shangait, ndërsa mbërritja do të jetë në Aeroportin e Kryeqytetit të Pekinit në orën 1:10 të pasdites.
"C919" është prodhuar nga Korporata e Avionëve Komercialë e Kinës (COMAC) dhe ka marrë një të ashtuquajtur "certifikatë tipi" nga Administrata e Aviacionit Civil e Kinës (CAAC) në shtator të vitit të kaluar.
CEA-ja filloi një fluturim verifikimi prej 100 orësh për këtë avion të parë "C919" qysh nga 26 dhjetor i vitit 2022, për të verifikuar dhe konfirmuar sigurinë operacionale të avionit.
CEA-ja nënshkroi një kontratë për të blerë 5 avionë "C919" në mars të vitit 2021, marrëveshja e parë tregtare për këtë avion.
Ajo e mori avionin e parë "C919", me numër B-919A, më 9 dhjetor të vitit 2022, dhe katër avionët e tjerë do të dorëzohen në dy vjetët e ardhshëm, sipas planit të prodhimit dhe të dorëzimit të COMAC-ut.
Deri tani janë porositur mbi 1 200 avionë C919, bëri të ditur COMAC-u.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd