Transmetuar më 24-05-2023, 06:37

Negociatat me familjarët ishin ato që çuan në dorëzimin e Habib Rexhës, autori i dyshuar i vrasjes së Arjan Gosës në një lokal në Kavajë.

Mbrëmjen e së martës policia njoftoi se Rexha ishte vetëdorëzuar në policinë e Kavajës.

Policia tha zyrtarisht se dorëzimi erdhi si rezultat i veprimeve kërkimore, pamundësisë së largimit dhe negociatave me familjarët.

"Krahas kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Habib Rexha, strukturat e Policisë negociuan dhe me familjarët me qëllim dorëzimin e këtij shtetasi të dyshuar për vrasjen e 21 majit të Arjan Gosës".

Historia e dy familjeve është sa e rëndë dhe e trishtë. Ajo që shihet si vepra e fundit mes palëve ishte më 21 maj, kur Habib Rexha dyshohet se vrau me një plumb në kokë 48-vjeçarin Arian Gosa.

I ndjeri ishte duke pirë kafe me babanë e tij në një lokal në Kavajë kur autori hapi zjarr dhe i mori jetën.

Policia arriti të identifikojë shpejt autorin e dyshuar, duke publikuar edhe një foto të tij, si dhe vuri në dispozicion 10 mijë euro për çdo informacion që çonte në kapjen e Rexhës.

Por fillesat e asaj që ndodhi janë më herët. Pista e hakmarrjes dyshohet se ishte motivi i krimit, pasi Habib Rexha, është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vdelur në një vrasje të dyfishtë në muajin mars të këtij viti në Kavajë. Një krim ku mbeti i vrarë edhe Edmond Gosa.