Transmetuar më 23-05-2023, 14:37

Arrestohet në Greqi Laert Haxhiu.

Një operacion ndërkombëtar i policisë, i koduar "Eksponenti", ka përfunduar me sukses me kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për krime kundër personit. Operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet greke, duke rezultuar në arrestimin e shtetasit Laert Haxhiu në Janinë, Greqi.

Nga ky operacion u arrestua Laert Haxhiu, 31 vjeç, shtetas shqiptar i shpallur në kërkim për vrasje në rrethana cilësuese dhe mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve.

Policia bën me dije se ‘në vijim të punës kërkimore të kryer në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Eksponenti”.

Në kuadër të këtij operacioni, në Janinë, nga Policia greke është bërë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar shumë të kërkuar Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë. Ky shtetas u kap me leje qendrimi greke të falsifikuar, me emrin M. A., 32 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Laert Haxhiu është një nga më të shumëkërkuarit në Shqipëri. I riu, u dëgjua për herë të parë në masakrën e 2017-s, ngjarje që u quajt "masakra e Lushnjes", ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha. Sipas hetimeve, objektiv i ekzekutimit ishte nipit i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, si hakmarrje ndaj historikut të konflikteve midis familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut. Për ngjarjen, autoritetet kanë arrestuar Orges Bilbilin dhe Anteroi Kaloshin, ndërsa në kërkim vazhdon të jetë Leart Haxhiu, i cilësuar edhe si kreu i grupit kriminal.