Transmetuar më 20-05-2023, 18:10

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të autoriteteve shtetërore të Malit të Zi, krahas presidentëve të rajonit, të premten ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri, Jakov Milatoviç.

Teksa e ka uruar homologun e saj për detyrën, Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta demokratike, besimin e ndërsjellë dhe historinë e lidhjeve të fuqishme të popujve dhe shteteve.

“Përcaktimi i qartë i popullit tonë për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike nënkupton domosdoshmërinë që të vazhdojmë të ndërtojmë bashkëpunimin tonë të fortë dhe të mbrojmë vlerat që ndajmë dhe për të cilat kemi luftuar shumë për t’i ndërtuar dhe ruajtur.

Derisa kontinenti ynë e gjen veten në këtë pikë kritike, është thelbësore që ne të qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin dhe rrugën tonë drejt institucioneve euroatlantike”, ka theksuar ajo.

Jakov Milatoviç ka marrë zyrtarisht detyrën si president i Malit të Zi. Ai është betuar para 200 të ftuarve në Parlament dhe më pas ka mbatjur një fjalim.

Në fjalën e tij pas betimit ai tha se do të kryejë të gjitha detyrat me paanshmëri dhe nder sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Milatoviç nënvizoi se prioritet do të jetë përshpejtimi i rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.