
Pas uraganit, vjen paqja, ose qetësia. Të paktën këtë donte të përcillte Carlo Ancelotti në prag të transfertës në “Mestalla”. Heshtja e çuditshme që ekzistonte edhe sot në Valdebebas nuk ishte një sinjal gëzimi, por thjesht qetësie. “A të ka garantuar klubi se do të përmbushë kontratën me ty?” – e pyetën gazetarët trajnerin italian. Përgjigja e tij ishte e thatë, por kumbuese: “Po”.
Mbi mundësinë e nënshkrimit të një “9”, ai konfirmoi se diçka ndodhet në tavolinën e klubit, por mbrojti Benzema: “Nuk ka kuptim të dyshojmë mbi Karim. Ai pati një lojë të keqe në Manchester, por jo vetëm ai”. Ancelotti gjithashtu përjashtoi mundësinë e rotacionit në “Mestalla”: "Skuadra më e mirë do të luajë, është një mundësi për t’i bërë gjërat si duhet".
Më tej, kreu i pankinës së Real Madridit iu përgjigj interesit të medias: "Bilanci i sezonit? Mund të bëhej më shumë, por ka qenë i mirë. Sigurisht që nuk jemi të kënaqur me La Liga-n, por kemi luftuar deri në fund në garat e tjera… dhe kemi fituar tri prej tyre.
Dalja nga Champions-i? Qartësisht është një eliminim që dhemb, por nuk duhet të harrojmë se ishte gjysmëfinale. Kemi qenë afër një tjetër finaleje, jemi të lënduar, por ndonjëherë mund të gjesh një ekip që bën më mirë se ti. Tashmë duhet të shikojmë nag Champions-i i ardhshëm.
Stafeta mes veteranëve dhe të rinjve? Pyetje e mirë. Është e vështirë për mua të përgjigjem, por po… Mendoj se ky tranzicion nuk do të fillojë sezonin e ardhshëm. Para se të mbërrija, kjo skuadër, e cila ka bërë gjëra të mëdha, filloi të humbasë pjesë të çmuara, qysh kur Cristiano iku më 2018. Prej aty kanë filluar të vijnë të rinj me cilësi të lartë.
Të gjithë lojtarët përfundojnë duke u zëvendësuar me futbollistë me cilësi të jashtëzakonshme. Pas dy vitesh, Vinicius është titullar i padiskutueshëm, Camavinga ka filluar të hyjë në ingranazhet e formacionit titullar, Rodrygo nga pankina… Duket sikur tranzicioni duhet të fillojë sezonin e ardhshëm, por tashmë ka filluar. Të rinjtë do të kenë më shumë rëndësi. Do të vijë dita kur Modric, Benzema, Nacho, Carvajal… të pushojnë së luajturi për këtë ekip”.
Natyrisht, nuk mund të mungonte pyetja për interesin e shfaqur hapur nga Brazili për ta pasur atë në stol. "Mendoj se të gjithë e dinë se cila është situata ime dhe se dua t’i shkoj deri në fund kontratës me Real Madridin. Deri në vitin 2024 dua të vazhdoj këtu…", – saktësoi “Carletto”.
Italiani ka diskutuar gjithçka me presidentin Florentino Perez, prej të cilit ka marrë garanci të plota: "Dje patëm një takim. Më tregoi mbështetjen e tij dhe biseduam për ndeshjen e së mërkurës. Ne vazhdojmë me të njëjtin përkushtim për t’i bërë gjërat më mirë. A më ka garantuar klubi se do ta përmbushim kontratën? Po".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





