Transmetuar më 17-05-2023, 10:37

Pep Guardiola zakonisht nuk buzëqesh shumë kur ulet para shtypit spanjoll. Trajneri i Manchester City, i larguar prej një dekade nga përditshmëria në Spanjë, ndihet më rehat me gazetarët vendas. Së pari në Mynih dhe për shtatë vite në Manchester.

Megjithatë, Pep nuk ishte aq serioz sa një vit më parë në prag të ndeshjes së kthimit në "Santiago Bernabéu". Asokohe polemikat me Simeonen në çerekfinale dhe vizita e tij në stadiumin e Real Madridit e ngritën tensionin në nivelet më të larta.

Këtë vit, me faktorin fushë në favor të tij, ai ishte më i qetë. Pa buzëqeshje, por pa polemika, duke menduar vetëm për mënyrën se si të mposhtë "bishën" e tij të zezë në Evropë, që kur u largua nga Barcelona.

Trashëgimia që Guardiola lë te Manchester City – "Trashëgimia është se ky klub ka kaluar kohëra të mira për shumë vite. Trashëgimia është se njerëzit do të kujtojnë se ne shënuam shumë gola, se pësuam pak… dhe se fituam shumë tituj. Në këto vite këtu kam kaluar shumë bukur. Është si një libër i mirë. Dhe ndoshta në Evropë njerëzit nuk shohin asgjë nga këto, por këtu kemi kaluar shumë mirë. Kjo është një trashëgimi".

Niveli i lojtarëve të Real Madridit – "Unë gjithmonë i afrohem këtij kompeticioni duke menduar se çfarë mund të bëjmë. Natyrisht, ne e njohim Real Madridin, por kjo nuk do të thotë se do ta kontrollojmë atë".

Pse Real Madridi është kaq superior në Champions League – "Nuk e di, nëse do ta dija do të përpiqesha të kopjoja metodën. Por do të thoja këtë: ata gjithmonë kishin lojtarë të nivelit shumë të lartë. Kur e fituam Champions-in me Barçën ndodhi sepse kishim lojtarë të nivelit shumë të lartë".

Walker thotë se ju jeni borxhli ndaj pronarëve – "Nuk duhet të bëni kaq shumë presion mbi veten tuaj. Unë mendoj se lojtarët kanë bërë shumë, megjithëse mendojnë se nuk kanë bërë aq pa Champions-in. Ata duhet të luajnë vetëm një ndeshje futbolli. E dimë se sa i mirë është Real Madridi, ndaj ta konsiderojmë si bekim që jemi këtu".

Përmirësimet – "Nuk do t’jua them, por as nuk do të bëjmë ndonjë gjë të veçantë. Duhet të luajmë më të relaksuar dhe të jemi më fluid. Madrilenët gjithashtu do të jenë më të relaksuar".

Kush është favoriti –  "Nuk e di, nuk jam në gjendje ta them këtë. Ne jemi në ‘pole’ çdo sezon dhe në fund fiton skuadra që e meriton. Kemi ndjenjën se në shtëpi jemi më të lirë dhe luajmë më të qetë. Le të jemi vetvetja… Kam luajtur dhjetë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe kam humbur shtatë. E di ndjesinë, por ka shumë gjëra që nuk munden të kontrollohen në botën e futbollit”.

Edhe katër ndeshje për "tripletën" – "Trashëgimia ime është tashmë e jashtëzakonshme këtu, apo jo? Ne tashmë e dimë rëndësinë e Ligës së Kampionëve, por duhet ta jetojmë atë duke shijuar momentin. Ne jemi jashtëzakonisht me fat që ndodhemi këtu. Është në duart tona, nuk varemi nga askush. Kam një ndjenjë shumë pozitive".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd