Transmetuar më 15-05-2023, 13:20

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pohoi sot se është i çuditur nga shifrat që dalin zyrtarisht dhe e cilëson të gjithën një farsë elektorale të cilën tha se e hedh poshtë me neveri, pasi "narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës".

"Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve.

Janë të panumërta aktet, veprimet, të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj, terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë.

Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.

Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend.

Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa te omega nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner.

Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit, të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, pasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për të mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë.

Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisionari për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki siç kanë bërë në shumicën e bashkive të vendit.

Shpreh solidaritetin tim me komisionarin Ismail Ismaili dhe të gjithë komisionerët e tjerë që në kushte terrori, po përmbushin detyrimet e tyre", tha Berisha.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd