Një kompani kineze e pajisjeve hekurudhore lançoi trenin e parë urban në botë me energji nga hidrogjeni gjatë një aktiviteti të zhvilluar këtë javë në Shangai me rastin e Ditës së Markave Kineze.
Treni i gjelbër dhe me lëshim të ulët të karboni, i ndërtuar nga CRRC, mund të ecë me një shpejtësi deri në 160 kilometra në orë në një distancë prej 600 kilometrash.
Në trenin e ri urban është aplikuar fjala e fundit e teknologjisë digjitale dhe asaj inteligjente. Automjeti adopton nivelin më të lartë të drejtimit autonom (pa pilot), i cili mund të realizojë funksione inteligjente gjatë udhëtimit, si zgjimi automatik, nisja-ndalimi automatik dhe kthimi automatik në garazh.
Për më tepër, sistemi i komunikimit automjet me automjet përdoret për të përmirësuar kontrollin e trenit, duke ngritur në mënyrë të dukshme efikasitetin dhe besueshmërinë e sigurisë së këtij mjeti ultramodern gjatë funksionimit.
Treni është gjithashtu i pajisur me sisteme të shumta zbulimi inteligjent prej mijëra sensorësh, me anën e të cilëve, automjeti mund të vetëkontrollohet dhe të vetëperceptohet në çdo kohë në rrugë. Njëkohësisht, sistemet mund të monitorojnë, diagnostikojnë dhe mbrojnë automatikisht sistemin e ruajtjes së hidrogjenit dhe atë të qelizave të karburantit të hidrogjenit gjatë udhëtimit.
Treni përdor teknologjinë e komunikimit me kapacitet të lartë 5G për të arritur integrimin e shumë rrjeteve të transmetimit të të dhënave nga automjeti në tokë. Përmes analizës së të dhënave të mëdha, statusi i funksionimit të trenit vlerësohet në çdo kohë për të garantuar sigurinë.
Hidrogjeni konsiderohet një burim i pastër energjie, sepse avulli i ujit është i vetmi nënprodukt kur digjet si lëndë djegëse. Ai nuk prodhon ndotës të dëmshëm ose gazra serrë, si dioksidi i karbonit ose i squfurit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd