
Vlorë – Gjykata e Vlorës ka caktuar masë e sigurisë ‘arrest me burg’ për kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës.
Dosja e tij është vendosur që t’i kalojë SPAK-ut, nën akuzën e blerjes së votave.
Teksa gjykata ishte ‘blinduar’ nga forca të shumta policie, kryesisht civilë, në ambientet e saj është parë dhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.
Beleri ka kërkuar një masë të butë sigurie për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi sipas tij vuan nga diabeti. Megjithatë gjykata e la nën arrest me burg pa afat.
Beleri akuzohet për shit-blerjet votash, për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër.
Beleri është arrestuar pak pas mesnate të premten, para lokalit të tij bashkë me një person tjetër.
Forca të shumta policie morën pjesë në prangosjen e tij, që u bë me urdhër të prokurorisë lokale.
Prokuroria e Vlorës lëshoi urdhër arresti për Fredi Belerin me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, ku sipas tyre “Beleri u kap në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”.
Vetë Beleri dhe të tjerët, kanë mohuar që të jenë përfshirë në shkelje të tilla, si blerja e votave.
Sipas policisë, hetimet nisën 4 ditë më parë pas informacioneve se disa persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues.
Bashkë me Belerin, pas hekurave ka përfunduar dhe Pandeli Kokaveshi, 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, KQZ njoftoi zyrtarisht se Beleri vazhdon të jetë kandidat dhe se emri i tij do të mbetet në fletën e votimit.
"Në përgjigje të interesit të përfaqësuesve të medias mbi ndalimin/arrestimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë Himarë, Dhionisios Alfred Petro Beleri, mbështetur nga koalicioni "Bashkë Fitojmë", Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se në kuptim të Kodit Zgjedhor, si dhe të Ligjit nr. 138/2015 "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike", ai vazhdon të jetë kandidat dhe emri i tij mbetet në fletën e votimit", njoftoi KQZ.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





