Transmetuar më 13-05-2023, 08:23

Carlos Tevez ka “peshuar” përplasjen e PSG-së me Lionel Messin, duke kritikuar furishëm gjigantët francezë për trajtimin që i bënë fituesit të Kupës së Botës.

Messi u pezullua nga PSG për një udhëtim të paautorizuar në Arabinë Saudite, ndërsa sulmuesi u gjobit gjithashtu.

Kjo situatë i ka dhënë fund magjisë së Messit në “Parc des Princes” pas dy vitesh, me superyllin argjentinas që do të largohet këtë verë.

Mosmarrëveshja e ashpër ka çuar në protesta si jashtë terrenit stërvitor të klubit, edhe para shtëpisë së Messit në Paris nga ultrasit e PSG.

Tevez ka këmbëngulur se PSG ka gabuar duke marrë masa disiplinore ndaj yllit argjentinas: “Unë mendoj se Messi na jep të gjithëve një shembull përulësie. Nëse do të më thoshit, kur isha kampion bote, se duhet të kërkoja falje që shkova në një udhëtim kur e kisha ditë pushimi, do të kthehesha në Rosario dhe do të qëndroja atje duke pirë me shoqërinë, – tha Tevez për “TyC Sports”.

– Në fakt ishte PSG, ajo që duhej t’i kërkonte falje. E vërteta është se Messi vendos klubin mbi çdo gjë tjetër. Dhe mendoj se, për këtë rast, duhet t’i heqësh kapelen…

Pastaj mund të themi shumë gjëra për një klub që nuk kujdeset vërtet për të. Që në momentin e parë që mbërriti, ata nuk u kujdesën për Messin. I tillë është realiteti”.